Rrjoll, Velipojë – Situata është tensionuar këtë të shtunë në Rrjoll të Velipojës, ku banorët kanë protestuar kundër ndërtimit të një resorti turistik që sipas tyre prek tokat dhe interesat e komunitetit lokal.

Protesta ka degraduar në përplasje me forcat e policisë të vendosura në zonë për të garantuar vijimin e punimeve. Në kulmin e tensioneve, banorët kanë hequr një pjesë të rrethimit me kangjella të vendosur pranë kantierit ku po ndërtohet resorti.

Reklame

Protestuesit kanë tentuar gjithashtu të bllokojnë makineritë e rënda që po punojnë në terren, ndërsa efektivët e policisë janë përpjekur t’i largojnë nga zona dhe të shmangin ndërprerjen e punimeve.

Gjatë protestës janë dëgjuar thirrje të forta kundër klasës politike në vend.

“Rama në burg, Berisha në burg”, kanë brohoritur protestuesit, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj politikës shqiptare dhe mënyrës se si, sipas tyre, po trajtohen interesat e banorëve të zonës.

Mes pankartave të ngritura nga protestuesit spikaste edhe mesazhi:

“Jemi fëmijët e Rrjollit, toka nuk preket!”

Banorët kundërshtojnë projektin turistik duke pretenduar se ai cenon pronat dhe identitetin e zonës, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të dëgjuar zërin e komunitetit lokal.

Rrjolli është kthyer prej javësh në një vatër debatesh dhe përplasjesh mes banorëve dhe përfaqësuesve të projektit, ndërsa tensionet e së shtunës shënojnë një përshkallëzim të situatës në terren.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar rëndë, ndërsa forcat e policisë vijojnë të qëndrojnë në zonë për të monitoruar situatën.

PAMJET/ Tensione në Rrjoll, banorët përplasen me policinë

Reklame