Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se incidentet e ndodhura në Shkodër nuk do të ndikojnë në mbështetjen e opozitës për protestën studentore. Në një deklaratë për mediat, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për provokacione ndaj Partisë Demokratike dhe u shpreh se PD do të qëndrojë në krah të studentëve deri në fitore.
Berisha iu drejtua drejtpërdrejt kreut të qeverisë, duke theksuar se, sipas tij, asnjë veprim i tillë nuk do ta lëkundë qëndrimin e opozitës ndaj lëvizjes studentore.
“Jam këtu për të paralajmëruar Edi Ramën se asnjë provokacion i ulët, i llojit të atij që organizoi në Shkodër ndaj Partisë Demokratike, selisë së saj, nuk do mund të lëkundë kurrë, gjer në fitore, mbështetjen e plotë dhe totale të Partisë Demokratike për revoltën studentore”, deklaroi Berisha.
Kreu i demokratëve shprehu bindjen se protesta studentore do të triumfojë, duke e mbyllur mesazhin e tij me fjalët: “Studentët do fitojnë.”
Deklarata vjen pas incidenteve të raportuara në Shkodër, ku protestuesit dëmtuan xhamat e selisë së Partisë Socialiste dhe thyen derën e selisë së Partisë Demokratike, duke u futur brenda ambienteve të saj. Policia shoqëroi gjithashtu disa të rinj.
Berisha nuk dha detaje të tjera mbi personat që, sipas tij, qëndrojnë pas incidentit, por rikonfirmoi se Partia Demokratike do të vijojë mbështetjen për protestën studentore.
Lexo edhe
Tensione në Shkodër/ Protestuesit thyejnë xhamat e selisë së PS-së dhe futen me forcë në PD














