Policia e Shtetit ka arrestuar 55 persona dhe ka proceduar penalisht 98 të tjerë për aktet e dhunës dhe dëmtimet e shkaktuara gjatë protestës së 14 tetorit në Tiranë. Sipas policisë, gjatë tubimit u dëmtuan institucione shtetërore, banka, biznese, automjete dhe pajisje të infrastrukturës publike, ndërsa 51 punonjës policie mbetën të dëmtuar. Mes të arrestuarve janë edhe dy të mitur, 15 dhe 17 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, incidentet nisën gjatë tubimit përpara Ministrisë së Arsimit dhe vijuan në rrugën e Durrësit, si dhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Policia pretendon se dhjetëra protestues të maskuar kanë hedhur gurë, pllaka guri, sende të forta metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private.
Dëmtime në institucione, banka dhe biznese
Sipas autoriteteve, gjatë protestës u dëmtuan kangjellat, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe sinjalistika rrugore, semaforë, fasada xhami, kamera sigurie dhe bankomate.
Protestuesit u zhvendosën më pas në disa akse të kryeqytetit, përfshirë bulevardet “Dëshmorët e Kombit” dhe “Gjergj Fishta”, rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe rrugën e Durrësit, ku, sipas policisë, vijuan dëmtimet ndaj pronës publike dhe private.
Një nga incidentet e raportuara ka ndodhur në rrethimin e Komisariatit të Policisë Nr. 2. Sipas njoftimit zyrtar, disa protestues kanë hyrë në ambientet e rrethuara të komisariatit dhe kanë goditur godinën me sende të forta dhe lëndë piroteknike, duke dëmtuar xhamat e fasadës dhe portën hyrëse.
Policia bën me dije se gjatë këtij incidenti është djegur një automjet i saj dhe janë dëmtuar me sende të forta edhe tre automjete të parkuara.
51 punonjës policie të dëmtuar
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë tubimit efektivët janë përballur me hedhjen e vazhdueshme të gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovi. Si pasojë e incidenteve, 51 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar.
Për dokumentimin e ngjarjeve dhe identifikimin e personave të përfshirë, hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
55 të arrestuar dhe 98 të proceduar penalisht
Pas veprimeve procedurale, policia njofton se ka arrestuar në flagrancë 55 persona, ndërsa 98 të tjerë janë proceduar penalisht.
Mes të arrestuarve janë dy të mitur, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç. Autoritetet nuk kanë publikuar në njoftimin e dhënë emrat e plotë të personave, por vetëm inicialet dhe moshat e tyre.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në aktet e dhunës, si dhe për dokumentimin ligjor të secilit rast.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Personat e arrestuar dhe të proceduar penalisht gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Lexo edhe
Berisha thirrje për bojkot të mësimit: Biznesmenët t’i bashkohen protestës, Rama të japë dorëheqjen
Policia apel nxënësve dhe prindërve: Largohuni nga dhuna













