Advertisement

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje nxënësve, maturantëve dhe studentëve në të gjithë vendin të bojkotojnë mësimin dhe të bashkohen me protestat. Ai u ka kërkuar gjithashtu mësuesve, pedagogëve, mjekëve, infermierëve dhe biznesmenëve të solidarizohen me të rinjtë, ndërsa ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në reagimin e tij për protestat që vijojnë prej ditësh, Berisha dënoi atë që e cilësoi si dhunë të rëndë ndaj protestuesve, duke pretenduar se ndërhyrjet e policisë kanë shkaktuar fraktura dhe dëmtime serioze.

Reklame

Kreu i PD-së e përshkroi lëvizjen studentore si një revoltë për ndryshimin e situatës politike në vend dhe u bëri thirrje nxënësve dhe maturantëve të bojkotojnë shkollën, me argumentin se po protestojnë për të ardhmen e tyre dhe të Shqipërisë.

Berisha thirrje mësuesve dhe pedagogëve

Berisha u kërkoi mësuesve dhe pedagogëve të qëndrojnë në krah të nxënësve dhe studentëve, duke theksuar se ata duhet të mbështesin të rinjtë në këtë situatë.

Ai paralajmëroi gjithashtu se, sipas tij, kërcënimet ndaj nxënësve dhe studentëve që marrin pjesë në protesta nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi.

“Është e pafalshme indiferenca e biznesmenëve”

Një apel të veçantë, kreu i opozitës u drejtoi biznesmenëve, duke i ftuar të bashkohen me protestuesit dhe të ndërmarrin forma solidariteti, përfshirë grevën.

Sipas Berishës, të rinjtë nuk po protestojnë vetëm për interesat e tyre, por edhe për shoqërinë, shtetin ligjor dhe mjedisin ku zhvillohet aktiviteti ekonomik.

Ai e cilësoi të pafalshme indiferencën e bizneseve të vogla, duke argumentuar se protestuesit po përballen me pasoja edhe në emër të interesave të tyre.

Berisha u bëri thirrje edhe mjekëve dhe infermierëve që të solidarizohen me studentët, duke e lidhur këtë qëndrim me gjendjen e sistemit shëndetësor.

Berisha Ramës: Jep dorëheqjen!

Në përfundim të reagimit, kreu i PD-së përsëriti kërkesën për dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si kërkesën kryesore të protestës studentore dhe të opozitës.

“Jep dorëheqjen!”, ishte mesazhi i Berishës drejtuar kryeministrit, ndërsa ai deklaroi se Partia Demokratike mbështet fuqimisht kërkesat e lëvizjes studentore.

Thirrjet e Berishës vijnë në një moment kur protestat e të rinjve vijojnë në Tiranë dhe janë shtrirë edhe në qytete të tjera, ndërsa situata politike mbetet e tensionuar.

Lexo edhe

Shqipëria në kaos nga protestat e studentëve, Rama për “Reuters”: Nuk do të jap dorëheqjen

Berisha: Kjo është revolta më e fuqishme studentore, Rama të japë dorëheqjen e menjëhershme

Reklame