Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për protestat e dy ditëve të fundit, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke u bërë thirrje qytetarëve, protestuesve dhe aktorëve politikë të zgjedhin dialogun dhe përgjegjshmërinë.
Përmes një mesazhi publik, Begaj theksoi se zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht ai i të rinjve, por nënvizoi se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje për kërkesat e tyre.
“Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit. Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh Presidenti.
Begaj: Dhuna cenon sigurinë dhe bashkëjetesën demokratike
Kreu i shtetit paralajmëroi se aktet e dhunës dëmtojnë shoqërinë, vënë në rrezik sigurinë e qytetarëve dhe thellojnë përçarjet në shoqëri.
“Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë”, deklaroi Begaj.
Ai u bëri thirrje të gjithë të përfshirëve të shmangin përshkallëzimin e tensioneve dhe të mos lejojnë që situata të cenojë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit.
Mesazh për policët dhe protestuesit e lënduar
Presidenti shprehu mbështetje për forcat e rendit në përmbushjen e detyrave të tyre dhe uroi shërim të shpejtë për të gjithë personat e lënduar gjatë protestave, si efektivët e policisë, ashtu edhe protestuesit.
Begaj bëri gjithashtu të ditur se mbetet i hapur, në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese, për të krijuar hapësira dialogu dhe mirëkuptimi.
Në përfundim, Presidenti u kërkoi aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, duke vënë në plan të parë interesin e të rinjve dhe të Shqipërisë.
“Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve”, ishte mesazhi me të cilin Begaj nisi reagimin e tij.
Lexo edhe
Shqipëria në kaos nga protestat e studentëve, Rama për “Reuters”: Nuk do të jap dorëheqjen
Berisha paralajmëron Ramën pas incidenteve në Shkodër: Asnjë provokacion nuk na largon nga studentët














