Shqiptarët e Luginës së Preshevës u janë drejtuar sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Këshillin Kombëtar Shqiptar. Në garë janë katër lista zgjedhore me 107 kandidatë, ndërsa të drejtë vote kanë 37.759 qytetarë . Pas garës së përbashkët në zgjedhjet parlamentare në Serbi kundër Aleksandar Vuçiçit dhe subjekteve të tjera politike, partitë shqiptare në Luginën e Preshevës këtë herë garojnë kundër njëra-tjetrës.
Në këto zgjedhje do të përcaktohet përbërja e re e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), një institucion që përfaqëson interesat e shqiptarëve në Serbi në fushat e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Sipas listës së veçantë zgjedhore, të drejtë vote kanë 37.759 shqiptarë, të cilët do të zgjedhin 29 anëtarët e Këshillit.
Në garë janë katër lista zgjedhore:
- LPD–PDSH, Lëvizja e Progresit Demokratik, me Shqiprim Musliun në krye të listës dhe 29 kandidatë.
- PD–LR, Partia Demokratike, me Sali Salihin në krye të listës dhe 20 kandidatë.
- PVD–AL, Partia për Veprim Demokratik, me 29 kandidatë.
- APN, Alternativa për Ndryshim, me Levent Qazimin në krye të listës dhe 29 kandidatë.
Një nga ndryshimet kryesore të këtyre zgjedhjeve është rritja e numrit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar Shqiptar nga 15 në 29. Ky ndryshim vjen pas më shumë se një dekade dhe lidhet me rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Serbi në vitin 2022.
Çfarë vendoset nga këto zgjedhje?
Përmes votës, shqiptarët e Luginës zgjedhin përfaqësuesit që do të merren me çështje që lidhen drejtpërdrejt me ruajtjen e gjuhës dhe identitetit të tyre.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kompetenca në arsimin në gjuhën shqipe, përfshirë tekstet shkollore, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, mbështetjen e mediave në gjuhën shqipe dhe përdorimin zyrtar të shqipes në institucionet ku kjo e drejtë garantohet me ligj.
Këshilli është organ i vetëqeverisjes së pakicës kombëtare shqiptare në Serbi dhe përmes tij përfaqësohen interesat e komunitetit në këto fusha.
Në zgjedhjet parlamentare në Serbi të mbajtura më 25 tetor 2026, koalicioni i përbashkët i shqiptarëve të Luginës së Preshevës (Koalicioni Shqiptar) fitoi 2 mandate në Kuvendin e Serbisë
Lexo edhe
Të dënuar me nga 15 vite burg në Gjermani, kapen në Morinë dy të rinj nga Kosova














