Nga Emiljano Shullazi te Lulzim Berisha, Indrit Taullai dhe Luftar Reçi: SPAK kërkon dënime maksimale prej 25 vitesh burg, ndërsa për bashkëpunëtorin e drejtësisë Reçi propozon vetëm 8 vite.

Prokuroria e Posaçme ka paraqitur pretencën për shtatë të pandehurit në dosjen që lidhet me vrasjet e bujshme të Vajdin Lamajt, Artan Arsit dhe Klodian Saliut, si dhe atentatin ndaj Osman Trumës.

Reklame

SPAK ka kërkuar dënimin përfundimtar me nga 25 vite burg për gjashtë prej të pandehurve, ndërsa për Luftar Reçin, i cili ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, kërkon uljen e dënimit në 8 vite burg.

Në listën e të pandehurve janë Emiljano Shullazi, Lulzim Berisha, Indrit Taullai, Plaurent Dervishaj, Indrit Rusi, Viktor Bajraktari (Imeraj) dhe Luftar Reçi.

Nga Shullazi te Lul Berisha, 25 vite burg për secilin

Për Emiljano Shullazin, SPAK kërkon 25 vite burg për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, në bashkëpunim dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe 5 vite burg për këtë të fundit si vepër penale më vete. Pas bashkimit të dënimeve, kërkesa përfundimtare është 25 vite burg në një institucion të sigurisë së lartë.

Për Lulzim Berishën, prokuroria kërkon:

25 vite burg për vrasjen me paramendim të Klodian Saliut.

18 vite burg për vrasjen e mbetur në tentativë të Osman Trumës.

11 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe prodhim armësh e municionesh.

5 vite burg për grup të strukturuar kriminal.

Edhe për të, pas bashkimit të dënimeve, kërkohen 25 vite burg në burg të sigurisë së lartë.

Dënimet e kërkuara për pesë të pandehurit e tjerë

Viktor Bajraktari (Imeraj)

SPAK kërkon 25 vite burg për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, si dhe dënime të tjera për grup të strukturuar kriminal, falsifikim dokumentesh dhe futje të sendeve të ndaluara në burg. Dënimi përfundimtar i kërkuar është 25 vite burg.

Indrit Taullai

Për të kërkohen dënime për vrasjet e Vajdin Lamajt, Artan Arsit dhe Klodian Saliut, tentativën e vrasjes së Osman Trumës, armëmbajtjen pa leje dhe grupin e strukturuar kriminal. Dënimi përfundimtar i kërkuar është 25 vite burg.

Plaurent Dervishaj

SPAK kërkon 25 vite burg për vrasjen e Klodian Saliut, 16 vite për tentativën e vrasjes së Osman Trumës, 11 vite për armëmbajtje pa leje dhe 3 vite për grup të strukturuar kriminal. Dënimi përfundimtar: 25 vite burg.

Indrit Rusi

Për të kërkohen 25 vite burg për vrasjen e Klodian Saliut, 15 vite për tentativën e vrasjes së Osman Trumës, 11 vite për armët dhe 3 vite për grup të strukturuar kriminal. Dënimi përfundimtar: 25 vite burg.

Luftar Reçi, nga 25 në 8 vite burg

Një trajtim i veçantë në pretencën e SPAK ka Luftar Reçi, i cili ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Prokuroria kërkon fillimisht 25 vite burg pas bashkimit të dënimeve për veprat penale që lidhen me vrasjet e Vajdin Lamajt, Artan Arsit dhe Klodian Saliut, tentativën e vrasjes së Osman Trumës, armët dhe grupin e strukturuar kriminal.

Por, duke kërkuar zbatimin e dispozitave ligjore për bashkëpunëtorin e drejtësisë, SPAK propozon që dënimi përfundimtar i tij të ulet në 8 vite burg.

Pretenca e SPAK tashmë i kalon gjykatës për shqyrtim. Kërkesat e prokurorisë nuk përbëjnë vendim përfundimtar fajësie, pasi vendimi do të merret nga gjykata.

Lexo edhe

Qindra të arrestuar nga protestat në fundjavë në të gjithë Francën

Reforma Zgjedhore zgjohet nga gjumi,PD kërkon lista të hapura, PS kërcënon të vijojë e vetme

Reklame