“Trashëgimia kulturore po kthehet në skemë biznesi”, deklaron Ina Zhupa, e cila kundërshton projektligjin e ri të qeverisë. Sipas saj, banorët që zotërojnë banesa monument kulture rrezikojnë të përballen me detyrime financiare që mund të çojnë deri në ekzekutimin e pronës, ndërsa monumentet mund të përshtaten për projekte hotelerie dhe turistike.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar kundër projektligjit të ri për trashëgiminë kulturore, të hedhur në konsultim publik nga qeveria, duke ngritur akuza për ndërhyrje në pronën private, shfrytëzim ekonomik të monumenteve dhe pengesa për rikthimin e objekteve kulturore të trafikuara jashtë vendit.
Në qendër të shqetësimit të saj janë veçanërisht Berati dhe Gjirokastra, ku një pjesë e konsiderueshme e banesave historike dhe monumenteve të mbrojtura janë në pronësi private.
Neni 30, Zhupa: Rrezikohet prona e banorëve
Sipas Zhupës, neni 30 i projektligjit i jep ministrit kompetencën të përcaktojë me urdhër vlerën e shpenzimeve për ndërhyrjet e detyruara në pronën private. Ajo kundërshton faktin që ky urdhër parashikohet të ketë fuqinë e titullit ekzekutiv.
Sipas deputetes, kjo mund të krijojë një barrë të rëndë financiare për familjet që kanë trashëguar banesa monument kulture, por nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar kostot e restaurimit.
Zhupa ngre pikëpyetje për pasojat që mund të ketë ky mekanizëm për pronarët në Berat, Gjirokastër, Durrës dhe Elbasan, duke paralajmëruar se mbrojtja e trashëgimisë nuk duhet të kthehet në rrezik për pronën e qytetarëve.
Neni 26, monumentet mund të kthehen në biznese?
Një tjetër pikë e kundërshtuar është neni 26, i cili sipas Zhupës parashikon mundësi për përshtatje funksionale, ndërhyrje arkitektonike dhe shtesa të reja në pasuritë kulturore, përfshirë integrimin e tyre në projekte zhvillimi ekonomik.
Deputetja paralajmëron se këto dispozita mund të hapin rrugën për shndërrimin e monumenteve të kulturës në struktura hotelerie, restorante apo biznese turistike, duke vënë në pikëpyetje ruajtjen e vlerave historike.
Ajo kërkon garanci se interesi ekonomik nuk do të mbizotërojë mbi mbrojtjen e monumenteve.
Neni 43, kundërshtime për kthimin e thesareve të trafikuara
Zhupa kundërshton edhe nenin 43, që sipas saj vendos kufizime kohore për kërkesat e kthimit të pasurive kulturore të larguara në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria.
Ajo përmend afatet 3-vjeçare, 30-vjeçare dhe 75-vjeçare të parashikuara në projektligj, duke argumentuar se këto kufizime mund të vështirësojnë rikthimin e objekteve të trafikuara, të cilat mund të identifikohen edhe shumë vite pas largimit nga vendi.
Zhupa rikthen në vëmendje edhe çështjen e Butrintit
Në reagimin e saj, deputetja kujton kundërshtimin e ligjit për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe protestën 160-ditore kundër modelit të dhënies me koncesion të administrimit të pasurisë kulturore.
Sipas saj, në vend që të ndërhyhet për të kufizuar mundësitë e koncesionimit, projektligji i ri sjell mekanizma të tjerë që mund ta kthejnë trashëgiminë kulturore në instrument të interesave ekonomike dhe private.
Në përfundim, Zhupa u bën thirrje qytetarëve të reagojnë kundër projektligjit, duke deklaruar se Berati dhe Gjirokastra nuk janë pronë e qeverisë dhe se monumentet shqiptare nuk duhet të trajtohen si pasuri për interesa biznesi.
lexo edhe
“Votuan si dele”! Ina Zhupa shpërthen ndaj socialistëve pas miratimit të reformës territoriale
Zhupa denoncon: Policë civilë në Qytetin Studenti, akuzon për skenar frikësimi ndaj studentëve














