Një memorandum tepër sekret i mbikëqyrur nga Marco Rubio ngriti shqetësime për marrëdhënien e Jensen Huang me biznesmenen Alice Huang, e dyshuar për lidhje me inteligjencën kineze. Kreu i Nvidia-s pranoi tradhtinë bashkëshortore, ndërsa bordi i kompanisë ka nisur një hetim të pavarur.

Një çështje që ndërthur spiunazhin, teknologjinë, interesat ekonomike dhe jetën private të një prej njerëzve më të fuqishëm të industrisë së inteligjencës artificiale ka tronditur gjigantin amerikan Nvidia.

Reklame

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte mbikëqyrur përgatitjen e një memorandumi tepër sekret gjatë pranverës së vitit 2026. Dokumenti, i bazuar në informacione të agjencive amerikane të inteligjencës, paralajmëronte zyrtarët e lartë të administratës Trump për një marrëdhënie të dyshuar mes drejtuesit të Nvidia-s, Jensen Huang, dhe biznesmenes kineze Alice Huang.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane, kjo e fundit dyshohej se ishte rekrutuar nga Ministria e Sigurisë Shtetërore të Kinës për të mbledhur informacione mbi drejtuesin e Nvidia-s dhe aktivitetin e kompanisë. Këto pretendime nuk janë provuar publikisht dhe mbeten pjesë e raportimeve mbi një operacion të dyshuar të inteligjencës kineze.

Kompania që bleu miliarda dollarë procesorë Nvidia

Alice Huang kishte mbajtur një pozicion drejtues në kompaninë Megaspeed International, me seli në Singapor, e cila kishte blerë procesorë të avancuar të Nvidia-s me vlerë rreth 2 miliardë dollarë.

Kompania ishte vënë nën hetim nga autoritetet amerikane për dyshimet se kishte ndihmuar në transferimin e çipave të avancuar drejt Kinës, duke anashkaluar kufizimet amerikane të eksportit.

Shqetësimi i autoriteteve lidhej jo vetëm me mundësinë e kalimit të teknologjisë së ndaluar drejt Pekinit, por edhe me mundësinë që marrëdhënia e biznesmenes me drejtuesin e Nvidia-s të ishte përdorur për të siguruar informacione mbi planet dhe strategjinë e kompanisë.

Nvidia, nga ana e saj, ka deklaruar më herët se komunikimet e Jensen Huang me Alice Huang ishin pjesë e marrëdhënieve normale të biznesit dhe se klientët rajonalë nuk kishin akses në sekretet tregtare apo informacione të klasifikuara të kompanisë.

Trump ishte informuar, por ndryshoi qëndrim për udhëtimin në Kinë

Sipas raportimeve, Donald Trump ishte informuar rreth një vit më parë për shqetësimet e inteligjencës amerikane, por nuk kishte ndërmarrë masa kundër Jensen Huang apo Nvidia-s.

Fillimisht, drejtuesi i kompanisë nuk ishte përfshirë në delegacionin e biznesmenëve që do të shoqëronin presidentin amerikan gjatë vizitës në Kinë. Megjithatë, më pas Trump ndërhyri personalisht dhe Huang iu bashkua udhëtimit.

Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si administrata amerikane e ka trajtuar çështjen, duke pasur parasysh rëndësinë strategjike të Nvidia-s në garën teknologjike me Kinën.

Jensen Huang pranon tradhtinë, Nvidia nis hetim të pavarur

Ndërkohë, Jensen Huang ka pranuar se ka qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij, duke kërkuar falje publike ndaj familjes dhe punonjësve të kompanisë.

Në një mesazh drejtuar stafit, ai pranoi përgjegjësinë për veprimet e tij dhe kërkoi falje për dhimbjen që u kishte shkaktuar bashkëshortes dhe fëmijëve.

Pas publikimit të raportimeve, bordi drejtues i Nvidia-s njoftoi nisjen e një hetimi të pavarur për të shqyrtuar nëse drejtuesi i saj ishte objektiv i një operacioni të huaj inteligjence.

Kompania deklaroi se, deri në këtë moment, nuk kishte arsye të besonte se siguria kombëtare amerikane apo sekretet tregtare të Nvidia-s ishin komprometuar. Huang ka shprehur mbështetjen për hetimin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar.

Çështja mbetet e hapur në disa drejtime: nëse Alice Huang ka vepruar në emër të inteligjencës kineze, nëse marrëdhënia me drejtuesin e Nvidia-s është përdorur për mbledhjen e informacioneve dhe nëse ndonjë e dhënë konfidenciale ka përfunduar në duart e Pekinit.

Deri tani, nuk ka prova publike që konfirmojnë se sekretet e Nvidia-s janë komprometuar apo se Jensen Huang ka bashkëpunuar me shërbimet kineze.

Lexo edhe

Trump ndryshon shefen e kabinetit pas humbjes së zgjedhjeve

Raportimet për sjellje të papërshtatshme, Trump dhe Rubio shqyrtojnë shkarkimin e ambasadores së SHBA në Greqi

Reklame