Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen përballë protestave dhe thirrjeve për largimin e tij nga detyra. Në një mesazh drejtuar qytetarëve, kreu i qeverisë tha se do të qëndrojë në krye të detyrës deri në ditën e fundit të mandatit, ndërsa akuzoi protestuesit dhe disa media televizive se po kërkojnë largimin e tij.

“Të tërë këta thonë se duan kokën time”, u shpreh Rama, duke pretenduar se ai dhe shumica qeverisëse janë pengesa mes kundërshtarëve të tij dhe një Shqipërie që, sipas tij, po ecën përpara.

Reklame

Kryeministri argumentoi se qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e tij kanë të drejtë ta bëjnë këtë, por theksoi se ai nuk do të tërhiqet nga detyra për shkak të këtyre thirrjeve.

“Por unë jam dhe do jem në krye të detyrës sime deri në ditën e fundit të kontratës me njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë, që na kanë besuar këtë detyrë”, deklaroi Rama.

Akuzat ndaj televizioneve: Mbajnë ndezur antenat me para të pista

Në mesazhin e tij, Rama sulmoi edhe disa televizione, të cilat i akuzoi se financohen me para të pista dhe se u japin jehonë akteve të dhunës gjatë protestave.

Ai përdori termin “ekrane të korruptuara televizive” për mediat që, sipas tij, po nxisin urrejtjen dhe po mbështesin dhunën ndaj Policisë së Shtetit.

“Janë bërë si kor i dehurish nga kënaqësia e dhunës”, u shpreh kryeministri, duke kritikuar edhe mënyrën se si disa emisione televizive pasqyrojnë protestuesit.

Rama pretendoi gjithashtu se disa media ushqejnë dhunuesit dhe i akuzoi se përdorin financime të paligjshme për të mbajtur aktivitetin e tyre. Ai nuk identifikoi konkretisht në këtë deklaratë televizionet ndaj të cilave drejtoi akuzat.

Rama mbron qeverisjen dhe përmend integrimin në BE

Kreu i qeverisë mbrojti bilancin e qeverisjes së tij, duke përmendur rritjen ekonomike, turizmin, luftën kundër korrupsionit dhe negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Sipas Ramës, Shqipëria po synon mbylljen e kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2027. Ai i cilësoi kundërshtarët e tij si persona që, sipas tij, nuk e pranojnë përparimin e vendit.

Deklaratat vijnë në një klimë tensionesh politike, me protesta kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit. Rama e bëri të qartë se nuk synon të largohet nga detyra për shkak të presionit të protestuesve, ndërsa akuzat e tij ndaj mediave dhe protestuesve mbeten qëndrime të shprehura prej tij.

Lexo edhe

“Kush janë këta?”/ Rama sulmon protestuesit: Kanë marrë peng Tiranën, nuk flasin në emër të popullit

Berisha hedh akuza për protestën: “Banda e mikrofonit” vendoste kush lejohej të fliste

Reklame