Policia zbulon detaje nga operacioni “Gjuetari i Bankave”. Robert Duka, alias Albert Duka, dyshohet për grabitjen e dy filialeve bankare. Në një tjetër operacion, arrestohet një shtetas grek me drogë në Rinas.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka zbardhur dy raste të vjedhjeve me armë në filiale bankare, si dhe një rast të trafikimit të lëndëve narkotike përmes Aeroportit të Rinasit.

Reklame

Në një konferencë për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba, bëri të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Gjuetari i Bankave” është identifikuar dhe ndaluar Robert Duka, alias Albert Duka, 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy grabitjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit.

Sipas policisë, ngjarjet kanë ndodhur më 2 qershor 2026 dhe 2 nëntor 2026, në dy filiale bankare në Tiranë.

Identifikimi i tij është bërë përmes hetimeve, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë grabitjeve.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi 8 200 euro, veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së grabitjeve dhe dy telefona celularë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve.

Drogë në valixhen e pasagjerit nga Athina, arrestohet greku në Tiranë

Një tjetër operacion, i koduar “Fly”, ka goditur një rast të dyshuar të trafikimit të lëndëve narkotike përmes Aeroportit të Rinasit.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të bagazheve të pasagjerëve të linjës Athinë–Rinas, në një valixhe u gjetën dy paketime me material bimor, të dyshuar si Cannabis Sativa.

Pas hetimeve u identifikua poseduesi i dyshuar i valixhes, shtetasi grek Michail Prokovas, 51 vjeç, i cili ishte larguar nga aeroporti menjëherë pas mbërritjes.

Policia arriti ta lokalizojë dhe arrestojë në rrugën e Durrësit, ndërsa lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua si provë materiale.

Tre të ndaluar me urdhër arresti

Gjatë konferencës, Torba bëri të ditur edhe kapjen e tre personave të tjerë, ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.

Bëhet fjalë për Olti Kamberin, 29 vjeç, Gerti Saliun, 28 vjeç, dhe Sead Hajdinin, 20 vjeç.

Drejtori i Policisë së Tiranës deklaroi se, pavarësisht angazhimit të strukturave policore gjatë protestave, puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale ka vijuar pa ndërprerje.

Lexo edhe

Grabitja e Raiffeisen Bank/ Shpërthen qytetari: Më vodhën llogaritë, banka nuk më ktheu lekët…

SPAK zbardh pretencën për 7 të akuzuarit e Bandës së Durrësit. Ja sa vite burg kërkon për Shullazin dhe Lul Berishën

Reklame