Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti paraditen e sotme në Tiranë homologun e tij izraelit, Gideon Sa’ar, në kuadër të një vizite zyrtare që synon forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Në qendër të takimit ishte zgjerimi i bashkëpunimit dypalësh, si dhe shkëmbimi i pikëpamjeve mbi sfidat e sigurisë rajonale dhe globale, përfshirë kontributin e Shqipërisë në kuadër të Bordit të Paqes.
Gjatë vizitës, dy ministrat nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila synon të krijojë një kuadër të strukturuar për zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të përbashkët.
Marrëveshja përfshin sektorë të rëndësishëm si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura.
Hoxha: Marrëdhëniet mbështeten në një histori të veçantë miqësie
Ministri Ferit Hoxha theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit mbështeten në një histori të veçantë miqësie, respekti dhe solidariteti, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj baze për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua turizmit, i cili, sipas ministrit, është shndërruar vitet e fundit në një prej sektorëve më dinamikë dhe premtues të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Gjatë takimit, Hoxha rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për sigurinë e Izraelit, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje që garanton paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin.
Shqipëria rikonfirmon angazhimin kundër antisemitizmit
Vizita shërbeu edhe për të rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë kundër terrorizmit, ekstremizmit, antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje.
Në kuadër të qëndrimit të tij në Tiranë, ministri izraelit Gideon Sa’ar vizitoi një ekspozitë arkivore që dokumenton traditën shqiptare të mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kapitull i rëndësishëm i historisë së vendit.
Në përfundim të takimit, të dy ministrat vlerësuan rëndësinë e vijimit të dialogut politik dhe forcimit të koordinimit mes institucioneve të të dy vendeve, me synimin për të thelluar më tej partneritetin Shqipëri-Izrael.
Lexo edhe
Parashikimi i motit për ditën e sotme 12 tetor. Reshje shiu dhe mjegull
Horoskopi e hënë, 12 tetor 2026. Parashikimi i yjeve për secilën shenjë














