Advertisement

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar ngritjen e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, duke akuzuar mazhorancën se ka humbur mundësinë për konsensus politik. Sipas saj, komisioni i mëparshëm u përdor vetëm për të ndryshuar hartën e bashkive, pa realizuar një reformë të plotë të qeverisjes vendore.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Posaçëm, Tabaku kritikoi mënyrën se si mazhoranca po e vijon procesin e reformës territoriale, duke deklaruar se kërkesa e re për ngritjen e një komisioni tjetër përmban të njëjtat objektiva që ishin parashikuar edhe më herët.

Reklame

“Fshini 15 bashki me një të rënë të lapsit. Humbët shansin për konsensus, sepse ju nuk doni reformë, por një hartë elektorale”, deklaroi Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, komisioni i parë nuk arriti të prodhonte një rezultat të përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa tani po propozohet një strukturë e re për të trajtuar çështje që, sipas saj, duhej të ishin adresuar që në fazën e parë.

Tabaku: Pse duhet të marrë pjesë opozita?

Tabaku ngriti pikëpyetje mbi arsyet që do ta shtynin opozitën të bëhej pjesë e procesit të ri, duke theksuar se një reformë e kësaj rëndësie kërkon besim dhe bashkëpunim politik.

“Kjo kërkesë është kopje e asaj që parashikohej në objektin e vendimit të Kuvendit të tetorit të vitit të kaluar. Atëherë ju votuat kundër, ndërsa tani e sillni sërish për votim dhe jeni pro. Kjo nuk është serioze”, u shpreh ajo.

Deputetja kujtoi gjithashtu se në korrik opozita kishte kërkuar shtyrjen e afatit të komisionit të mëparshëm me tre muaj, në mënyrë që të përmbusheshin objektivat e parashikuara. Sipas saj, kjo kërkesë u refuzua nga mazhoranca, e cila tani po rikthen të njëjtat objektiva përmes një komisioni të ri.

“Reforma prek vetëm një nivel të qeverisjes”

Në qëndrimin e saj, Tabaku argumentoi se reforma territoriale nuk duhet të kufizohet te ndryshimi i hartës administrative, por duhet të shoqërohet me masa konkrete për përmirësimin e funksionimit të pushtetit vendor.

Ajo theksoi se procesi duhej të prodhonte një rezultat konsensual, i cili më pas do të shërbente si bazë për një paketë ligjore që do të synonte përmirësimin e financave publike, rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, forcimin e kapaciteteve të bashkive dhe përfitimin nga fondet e kohezionit.

“Reforma që kemi bërë, zoti kryetar, është e njëjtë me atë të vitit 2015. Ajo prek vetëm një nivel të qeverisjes”, deklaroi Tabaku.

Kritikat e saj vijnë pas miratimit të ndarjes së re territoriale, e cila parashikon kalimin nga 61 në 46 bashki. Ndërsa mazhoranca synon të vijojë me rishikimin e kompetencave, financave vendore dhe kuadrit ligjor, opozita kundërshton mënyrën se si u zhvillua faza e parë dhe vë në pikëpyetje mundësinë e arritjes së konsensusit për fazën e dytë.

Lexo edhe

Tabaku denoncon sistemin e Ramës për pronat: Ligje me porosi dhe privilegje për njerëzit pranë pushtetit

“Parku Rinia do të kthehet në një kullë të pakicës”/ Jorida Tabaku denoncon ndërtimin në zemër të Tiranës

Reklame