Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e rëndë të dhunës mes vajzave të mitura, e cila u bë publike përmes një videoje të shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit, ngjarja është trajtuar menjëherë nga organet ligjzbatuese dhe aktualisht është objekt i një procedimi penal që po ndiqet nga Prokuroria e Fierit.
Hetim për “Heqje të paligjshme të lirisë”
Prokuroria bën me dije se më 10 qershor 2026, Komisariati i Policisë Fier ka referuar materialet procedurale për një ngjarje të ndodhur më 8 qershor 2026, ku një vajzë e mitur ka kallëzuar se ishte dërguar në një banesë në Fier dhe më pas ishte dhunuar fizikisht nga disa shtetase të tjera.
Mbi bazën e këtyre materialeve, është regjistruar procedimi penal për veprën “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, sipas nenit 110, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Gjykata ka caktuar masë sigurie për një të mitur
Gjatë hetimeve, Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata caktimin e një mase sigurimi personal ndaj një të miture në konflikt me ligjin.
Me vendimin e datës 1 korrik 2026, Gjykata ka pranuar kërkesën e organit të akuzës dhe ka vendosur masën e sigurimit, e cila vijon të jetë në fuqi.
Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, përgjegjësinë penale të çdo personi të përfshirë, si dhe mënyrën se si është realizuar, ruajtur dhe shpërndarë materiali filmik në rrjetet sociale.
Apel për të mos publikuar videot dhe identitetet e të miturve
Prokuroria thekson se në këtë procedim janë të përfshirë persona të mitur dhe për këtë arsye zbatohen rregullat e posaçme të mbrojtjes së privatësisë dhe interesit më të lartë të fëmijës.
Në bazë të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur dhe ligjit “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës”, ndalohet publikimi i çdo fotografie, videoje apo informacioni që mund të çojë në identifikimin e të miturve, si viktima, ashtu edhe si autorë të dyshuar.
Për këtë arsye, Prokuroria u bën thirrje qytetarëve, administratorëve të faqeve në rrjetet sociale dhe mediave që të mos shpërndajnë pamjet filmike apo të dhëna identifikuese, për të shmangur cenimin e privatësisë dhe riviktimizimin e të miturve.
Sipas organit të akuzës, opinioni publik do të informohet për zhvillimet e mëtejshme të çështjes vetëm në masën që kjo nuk cenon sekretin hetimor dhe të drejtat procedurale të personave të përfshirë.
Videoja e dhunës ndaj një vajze në Fier shkakton reagime, Policia nis hetimet














