Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një platformë të re komunikimi me qytetarët, të quajtur “Fol me Kryeministrin”, përmes së cilës synohet të krijohet një hapësirë ndërveprimi online me qeverinë, e hapur 24 orë në ditë.

Prezantimi vjen në një kohë kur vendi po përballet me protesta dhe kur përpjekjet për dialog mes qeverisë dhe studentëve kanë qenë në qendër të debatit publik.

Reklame

Rama e cilësoi platformën si një urë të re komunikimi, ku qytetarët mund të ndajnë mendimet, opinionet dhe informacionet e tyre. Sipas tij, një skuadër e dedikuar do të ndjekë ndërveprimet dhe do të garantojë qarkullimin e informacionit.

“Një urë funksionale, një urë e hapur 24 orë, një urë ku patjetër një skuadër e dedikuar do të garantojë gjithë qarkullimin e informacionit edhe të opinioneve që shkëmbehen”, deklaroi kryeministri.

Rama: Teknologjia na jep një mundësi të artë

Gjatë prezantimit, Rama iu referua klimës së tensionuar politike dhe protestave të fundit, duke akuzuar kundërshtarët se po pengojnë dialogun.

Ai u shpreh se teknologjia krijon mundësi të reja për komunikim të drejtpërdrejtë, ndërsa shprehu bindjen se, sipas tij, tensionet do të zbuten.

Platforma mund të aksesohet përmes kompjuterit dhe telefonit celular. Megjithatë, në prezantimin e saj nuk u dhanë detaje të plota mbi mënyrën se si do të përzgjidhen, trajtohen dhe marrin përgjigje kërkesat e qytetarëve.

Në fund të prezantimit, Rama e përshëndeti këtë hapësirë të re me mesazhin: “Mirë se vini në ‘Dialog’!”.

Lexo edhe

Rama nuk heq dorë nga “sofra e dialogut”, vendos sërish letra para Kryeministrisë

Rama inspekton bypass-in e Tiranës: “Do ta çlirojë kryeqytetin nga trafiku”

Reklame