Advertisement

Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Këshillit të Ministrave për heqjen e masës së bllokimit të platformës TikTok, duke theksuar se ky hap erdhi vetëm pas vendosjes së filtrave dhe mekanizmave të rinj mbrojtës, të negociuar përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë me kompaninë.

Komentet Rama i bëri në podkastin e tij “Flasim”, ku sqaroi se Shqipëria ka zhvilluar një dialog konstruktiv me TikTok për rritjen e parametrave të sigurisë, duke nënvizuar se shteti shqiptar nuk ndodhet në gjyq me platformën.

Reklame

Sipas tij, vendimi për hapjen e TikTok nuk është as tërheqje dhe as dorëzim përballë presionit publik apo ligjor, por rezultat i një procesi serioz rishikimi institucional.“Këtë javë doli edhe vendimi i Këshillit të Ministrave për të hequr masën e bllokimit të TikTok-ut. Është një vendim që e pata lajmëruar, sepse për befasinë tonë të këndshme, TikTok ishte shumë i hapur dhe shumë aktiv për ndërtimin e një dialogu me ne pasi bëmë bllokimin,” – u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se TikTok nuk ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj Shqipërisë, ndërsa la të kuptohet se padia është iniciuar nga palë të tjera.“Nuk është TikTok që na ka çuar në gjyq, por dihet kush na ka çuar në gjyq edhe për TikTok,” – tha ai.

Rama shtoi se marrëveshja e arritur nuk konsiston vetëm në komunikim formal, por në vendosjen e një baze të re bashkëpunimi, që synon kontroll më të madh të përmbajtjeve, pa cenuar lirinë e shprehjes.“Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak mbyllje sysh. Është rezultat i një pune konkrete për adresimin real të shqetësimeve mbi sigurinë dhe filtrat e nevojshëm. Jo censurë, por kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve,” – theksoi Rama.

Sipas kryeministrit, TikTok është tashmë i aksesueshëm në Shqipëri vetëm sepse janë vendosur mekanizma të rinj sigurie, që rrisin mbrojtjen e përdoruesve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve, duke garantuar më shumë kontroll mbi aktivitetin në platformë.

Reklame