Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së dielës një sipërfaqe pyjore mes fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq, në qarkun e Gjirokastrës, duke mobilizuar forcat zjarrfikëse.
Sipas informacioneve paraprake, alarmi është dhënë në orën 21:09, ndërsa menjëherë në vendngjarje janë nisur dy mjete zjarrfikëse së bashku me ekipet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Burime nga terreni bëjnë me dije se zjarri ka dy vatra aktive, të shpërndara në dy kodra të ndryshme. Ndërhyrja është vështirësuar ndjeshëm për shkak të terrenit të thyer, i cili nuk lejon afrimin e automjeteve zjarrfikëse pranë flakëve.
Për shkak të sipërfaqes së madhe të përfshirë nga zjarri, situata është vlerësuar si kritike, ndërsa është angazhuar i gjithë efektivi i shërbimit zjarrfikës për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Ekipet po punojnë për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara, me fokus mbrojtjen e fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq.
Deri në këtë fazë, shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta, ndërsa autoritetet pritet të kryejnë verifikimet përkatëse pasi situata të vihet nën kontroll.
Pse rriten zjarret gjatë verës? Shkaqet kryesore dhe si mund të parandalohen















