Një ditë pasi në Serbi doli rezultati i zgjedhjeve, lista studentore, edhe në Tiranë filloi të flitej që studentët duket të fillojnë të organizohen në këtë mënyrë. Dhe krejt papritur në internet u shfaq faqja e internetit listastudenore.com. Mahnitëse, kjo faqe interneti ishte përgatitur në detaj, një punë që sigurisht mundësitë do ti kishte thuajse zero të bëhej nga studentët brenda një nate. Punë që tregonte se pas saj ishte një ekip i mirëfilltë. Në këtë faqe interneti u jepej mundësia qytetarëve të regjistroheshin me një adresë emaili dhe kishin mundësi për disa vota si dhe të propozonin një emër. Nga një kërkim në internet për të gjetur se kush e ka hapur këtë faqe, zbuluam se identiteti ishte i fshehur.
Kush e kishte?
Për momentin nuk gjendet dot. Atëherë zgjodhëm rrugën tjetër, të gjenim se kush nuk e kishte. Dhe cfarë zbuluam. Listën Studentore nuk e kishin studentët. Ne kontaktuam këta të fundit dhe i pyetëm në lidhje me këtë, studentët të gjithë thanë se as nuk kanë pasur dijeni për hapjen e kësaj platforme, as nuk kishin akses në të dhe as nuk e dinin e se kush e kishte bërë. Pra lista studentore nuk është e studentëve. Po e kujt është?! Le t’i hedhim një sy se çfarë ndodh aty. Së pari është një sondazh, që duke votuar, aty zgjedh nëse një personazh në listë duhet të qëndrojë në listën e studentëve apo jo. Çfarë zbulohet?
Shifrat janë të parat që tërheqin vëmendjen
Pjesa më interesante e rezultateve shfaqet kur krahasohen katër emra: Jorida Tabaku, Arlind Qori, Redi Muçi dhe Adriatik Lapaj. Megjithëse vijnë nga profile dhe formacione të ndryshme politike, të katërt kanë marrë një nivel refuzimi shumë të afërt. Tabaku është refuzuar nga 69,42% e votuesve, Muçi nga 70,33%, Qori nga 74,92% dhe Lapaj nga 76,65%.
Diferenca mes rezultatit më të ulët dhe atij më të lartë është vetëm 7,23 pikë përqindjeje. Në total, nga 3.513 vota të regjistruara për këta katër emra, 2.570 janë kundër përfshirjes së tyre.
| Emri | Vota pro | Vota kundër | Refuzimi |
| Jorida Tabaku | 226 | 513 | 69,42% |
| Redi Muçi | 246 | 583 | 70,33% |
| Arlind Qori | 244 | 729 | 74,92% |
| Adriatik Lapaj | 227 | 745 | 76,65% |
| Totali | 943 | 2.570 | 73,16% |
Kjo afërsi nuk është provë se votuesit kanë qenë të njëjtët apo se ka pasur një udhëzim të përbashkët. Megjithatë, është një model që meriton të analizohet, veçanërisht kur vihet përballë rezultateve të figurave të tjera.
Tani tabela krahasuese, kush kalon dhe kush mbetet jashtë?
Në anën tjetër të rezultateve shfaqen Agron Shehaj dhe Erald Kapri, të dy nga Partia Mundësia. Ata e kalojnë pragun e përcaktuar prej 50,01% të votave pro.
| EMRI | % Pro | Statusi | Emri | % Kundër | Statusi |
| Saimir Korreshi | 75.82 | Pranohet | Ilirjana Kucana | 82.46 | Nuk pranohet |
| Myslim Murrizi | 65.49 | Pranohet | Adriatik Lapaj | 76.65 | Nuk pranohet |
| Ilir Alimehmeti | 64.85 | Pranohet | Arlind Qorri | 74.92 | Nuk pranohet |
| Erald Kapri | 62.98 | Pranohet | Kreshnik Osmani | 72.30 | Nuk pranohet |
| Agron Shehaj | 62.77 | Pranohet | Redi Muçi | 70.33 | Nuk pranohet |
| Dashamir Shehi | 60.39 | Pranohet | Jorida Tabaku | 69.42 | Nuk pranohet |
| Elena Kocaqi | 57.18 | Pranohet | Mariana Koçeku | 54.13 | Nuk pranohet |
| Tomor Alizoti | 57.08 | Pranohet | Ditmir Bushati | Anulluar |
Kontrasti është i dukshëm. Dy përfaqësuesit e Mundësisë marrin mbështetje pothuajse identike, rreth 63%, ndërsa katër figurat e tjera përfundojnë në një fashë refuzimi nga 69% deri në 77%.
Këtu lind pyetja: a kemi të bëjmë me një vlerësim spontan të pjesëmarrësve, apo me një proces ku një pjesë e caktuar e figurave politike janë më të pranueshme për konfigurimin që po synon të krijojë kjo nismë? Duhet nënvizuar se Shehaj dhe Kapri nuk kanë marrë mbështetje unanime. Rreth 37% e votuesve kanë votuar kundër tyre. Pra, bëhet fjalë për kalim pragu, jo për një mbështetje dërrmuese.
A ka një faktor të përbashkët mes katër të refuzuarve?
Në pamje të parë, katër figurat nuk kanë shumë të përbashkëta politikisht. Jorida Tabaku është deputete e PD-së dhe pjesë e një partie tradicionale. Arlind Qori dhe Redi Muçi përfaqësojnë Lëvizjen Bashkë, ndërsa Adriatik Lapaj drejton nismën Shqipëria Bëhet.
Megjithatë, të gjithë kanë një profil të dallueshëm politik dhe një strukturë apo projekt të tyren. Kjo mund të jetë një prej pikave që i bashkon në perceptimin e votuesve: ata nuk shihen domosdoshmërisht si figura të reja që do të përfaqësojnë një nismë të re, por si aktorë që tashmë kanë pozicionet dhe projektet e tyre politike. Ka një detaj p.sh që nuk kuptohet në logjikën studentore është: Dashamir Shehi merr 60% mbështetje nga studentët ndërsa Jorida Tabaku 30%??? Ose rezultati tjëtër, studentët pranojnë Myslim Murrizin dhe refuzojnë nga Lapaj, Qorri, Muçi e Marjana Koçeku???
Një shpjegim tjetër mund të jetë refuzimi i përgjithshëm ndaj figurave të politikës së konsoliduar, pavarësisht kahut politik. Por ky shpjegim nuk e sqaron plotësisht pse Shehaj dhe Kapri, të cilët gjithashtu janë drejtues dhe përfaqësues të një force politike, e kalojnë pragun. Prandaj, dallimi mes emrave të pranuar dhe atyre të refuzuar është më i rëndësishëm se një lexim i thjeshtë i përqindjeve.
Çfarë tregon numri i votuesve?
Edhe numri i pjesëmarrësve në secilin votim është relativisht i afërt.
| Emri | Gjithsej vota |
| Jorida Tabaku | 739 |
| Redi Muçi | 829 |
| Arlind Qori | 973 |
| Adriatik Lapaj | 972 |
| Agron Shehaj | 1.112 |
| Erald Kapri | 940 |
Veçanërisht bie në sy ngjashmëria e numrit të votave për Qorin dhe Lapajn: përkatësisht 973 dhe 972. Edhe rezultatet e tyre janë në të njëjtin drejtim dhe me përqindje të afërta. Kjo mund të jetë thjesht pasojë e një numri të ngjashëm pjesëmarrësish në votime të ndryshme. Por, duke qënë se kjo faqe është e re online nuk shohim dot kohën kur janë hedhur votat, burimin e trafikut dhe mënyrën e shpërndarjes së linkut. Kjo kërkon më shumë se një muaj kohë. Dhe pa këto të dhëna nuk mund të provojmë për momentin një votim të koordinuar.
Kush e nisi këtë nismë?
Pikëpyetjet bëhen edhe më të mëdha kur nga rezultatet kalojmë te origjina e iniciativës.
Platforma e prezanton veten si një nismë qytetare dhe sondazh mendimi. Sipas përshkrimit të saj, emrat propozohen nga publiku, ndërsa kandidatë të ndryshëm nuk janë konsultuar paraprakisht dhe prania e tyre në platformë nuk nënkupton se ata e mbështesin iniciativën. Por kush e ka krijuar platformën? Kush e administron? Kush ka përcaktuar rregullat dhe mekanizmin e votimit? Dhe, mbi të gjitha, cilët studentë janë përfshirë në hartimin e kësaj nisme?
Në kontaktet që kemi zhvilluar me studentë, përgjigjet e marra janë domethënëse. Studentët e kontaktuar kanë pohuar se nuk janë nismëtarë të iniciativës, nuk kanë pasur akses në administrimin apo organizimin e saj dhe nuk kanë dijeni se kush e ka krijuar. Këto pohime nuk e përjashtojnë përfshirje studentore në nivel individual. Por, nëse një platformë prezantohet si nismë studentore, mungesa e studentëve të identifikueshëm që të konfirmojnë përfshirjen në krijimin dhe drejtimin e saj është një çështje që kërkon transparencë. Ka një dallim të madh mes një platforme që u ofron studentëve mundësinë të votojnë dhe një platforme që krijohet, drejtohet dhe kontrollohet nga vetë studentët. Këto dy gjëra nuk duhen ngatërruar.
Tri hipoteza
Nga të dhënat e deritanishme mund të ngrihen tri hipoteza:
Hipoteza e parë – një sondazh i mirëfilltë qytetar. Rezultatet mund të pasqyrojnë preferencat e një grupi pjesëmarrësish që kanë hyrë në platformë dhe kanë votuar sipas bindjeve të tyre. Në këtë rast, ngjashmëria e refuzimit mund të jetë thjesht rezultat i një perceptimi të përbashkët politik.
Hipoteza e dytë – mobilizim i koordinuar. Një grup votuesish mund të jetë mobilizuar për të mbështetur ose refuzuar emra të caktuar. Për ta vërtetuar këtë nevojiten të dhëna mbi trafikun, kohën e votimit dhe kanalet e promovimit.
Hipoteza e tretë – një projekt me orientim politik të caktuar. Përzgjedhja e emrave dhe rezultatet mund të jenë pjesë e një procesi që favorizon disa aktorë politikë dhe lë jashtë të tjerë. Kontrasti mes Shehajt e Kaprit dhe katër figurave të refuzuara e bën këtë pyetje legjitime, e ngre dyshimin për përfshirjen e tyre në nivel të lartë, por gjithësesi mbetet dyshim.
Asnjëra prej këtyre hipotezave as nuk mund të hidhet poshtë dhe as nuk mund të jetë e vertetë. E vërte është një gjë, kjo platformë nuk është e tyre pavarësisht se mban emrin e tyre. Por ndërkohë që ne thellohemi në këtë çështje kuptojme se gjithçka është shumë e organizuar. Kemi edhe një faqe tjetër internet: levizjastudentore.org
Kjo e fundit është një platform ku studentet regjistrohen. Pra natyra e kësaj faqja është regjistrimi, grumbullimi I të dhënave. Kjo platform u prezantua si një lëvizje e organizuar studentore. Ka një prezantim të platformës shumë të përgjithshëm ndërkohë që pikë kryesore ka transparencën, madje flet edhe transparencë të fondeve…
Nëse ne shikojmë se si ka vepruar në vijimësi Partia Mundësia, kuptojmë, se kjo forcë politike ka një praktitë të konsoliduar në mbledhjen, grumbullimin dhe analizimin e të dhënave, si në kohën kur drejtuesi I saj ishte në PD, ashtu edhe kur u krijuar si formacion politik, edhe kur mblodhi 100 mijë firma për të mbështetur SPAK (që në fakt ishte thjeshtë një mënyrë për të pasuruar databazën e saj me kontakte), dhe si duket ndoshta edhe me këto dy platform.
Në këtë shkrim ne në asnjë mënyrë nuk themi se këto nisma janë të Agron Shehajt, por paterni të dhënave ngre dyshime.
Lexo edhe
PD çon në Kushtetuese tre aktet e qeverisë për protestat, kërkon pezullimin e tyre
“Drejtësi për Arlindën!” Prishtina nuk ndalet, protestuesit bllokojnë rrugën pranë policisë














