Policia e Shtetit u ka bërë thirrje nxënësve dhe prindërve të tregojnë kujdes dhe të distancohen nga çdo akt dhune, në një kohë kur protestat në Tiranë vijojnë mes tensioneve dhe përplasjeve.
Përmes një mesazhi publik, Policia e Shtetit u kërkon të rinjve të mos përfshihen në veprime të dhunshme që mund të rrezikojnë jetën, shëndetin dhe të ardhmen e tyre.
“Largohuni menjëherë nga vendet ku ushtrohet dhunë!”, thuhet në apelin e policisë drejtuar nxënësve.
Uniformat blu paralajmërojnë të rinjtë që të mos lejojnë askënd t’i përfshijë në situata të rrezikshme, ndërsa u bëjnë thirrje të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo përshkallëzim të situatës.
Apel edhe për prindërit
Policia e Shtetit ka një mesazh të veçantë edhe për prindërit, të cilëve u kërkon të kujdesen për fëmijët dhe t’i këshillojnë ata të qëndrojnë larg situatave të dhunshme.
“Siguria e tyre është përgjegjësi e përbashkët!”, theksohet në deklaratë.
Në përfundim, Policia e Shtetit bën me dije se efektivët janë në terren për të garantuar rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, si dhe për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Apeli vjen në një klimë të tensionuar në kryeqytet, ku të rinjtë kanë dalë në protesta dhe policia ka ndërhyrë për menaxhimin e situatës.
Lexo edhe
PD në krah të protestuesve: Kërkojmë dorëheqjen e Ramës dhe zgjedhje të parakohshme
Tensione në protestë/ Policia nis shoqërimet e protestuesve në Tiranë














