Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për katër shtetas të dyshuar për veprën penale të “Ndërtimit të paligjshëm”.

Në kuadër të procedimit penal nr. 3193, të datës 8 maj 2026, nën hetim janë vënë Mirsim Jella, Fiqiri Lika, Ferdinand Shtëmbari dhe Adriatik Shtëmbari, të cilët dyshohet se kanë tejkaluar parametrat e lejes së ndërtimit në një objekt të ndodhur në rrugën “Llukë Kaçaj”, pas Spitalit Amerikan 2 në Tiranë.

Reklame

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë kryer punime ndërtimore jashtë kushteve të miratuara në projektin përkatës, duke shtuar sipërfaqe ndërtimi në kundërshtim me lejen e dhënë dhe duke ushtruar aktivitet të dyshuar informal përmes shitjeve që synonin shmangien e detyrimeve fiskale.

Nga dokumentacioni tekniko-ligjor rezulton se leja e ndërtimit parashikonte një godinë me 2 kate nëntokë dhe 9 kate mbi tokë. Megjithatë, gjatë verifikimeve në terren është konstatuar se objekti është ndërtuar me 11 kate mbi tokë, duke shtuar dy kate të tjera në kundërshtim me lejen.

Sipas të dhënave të administruara nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT), janë ndërtuar rreth 2,550 metra katrorë më shumë se sipërfaqja e lejuar, konkretisht në katet e 10-të dhe të 11-të.

Prokuroria thekson se ndërtimi është realizuar përgjatë disa viteve dhe shkeljet kanë qenë të dukshme në terren. Megjithatë, sipas hetimeve, nuk rezulton që të jenë marrë masa administrative apo ndëshkuese nga strukturat përgjegjëse të IMT-së dhe IKMT-së.

Për këtë arsye, organi i akuzës ka ngritur dyshime të arsyeshme se punonjës ose funksionarë të institucioneve të inspektimit të territorit mund të mos kenë ushtruar detyrimet ligjore për evidentimin dhe ndalimin e shkeljeve.

Sipas hetimit, janë siguruar prova që mbështesin dyshimin se katër shtetasit kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, të parashikuar nga neni 199/a/4 dhe neni 25 i Kodit Penal.

Në këto kushte, Prokuroria ka vlerësuar se plotësohen kushtet ligjore për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, duke argumentuar se ekziston dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova dhe se nuk ka shkaqe që përjashtojnë përgjegjësinë penale.

Reklame