Advertisement

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka bërë thirrje prindërve, nxënësve, studentëve dhe mësuesve të bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë e të miturve gjatë protestave që po zhvillohen në vend. Ajo dënoi aktet e shkatërrimit të pronës publike dhe private dhe kërkoi që pakënaqësitë e të rinjve të shprehen përmes dialogut.

Në një deklaratë publike, Kumbaro u shpreh e shqetësuar për përfshirjen e nxënësve, veçanërisht të miturve, në situatat e tensionuara të ditëve të fundit. Ajo u kërkoi prindërve të tregojnë kujdes dhe të mos lejojnë që fëmijët të ekspozohen ndaj përplasjeve dhe situatave të rrezikshme.

Reklame

Ministrja pretendoi se pas akteve të dhunës dhe shkatërrimit qëndrojnë persona që synojnë të krijojnë kaos, ndërsa theksoi se nxënësit dhe studentët nuk duhet të bëhen viktima të situatës.

“Protesta të shprehet përmes dialogut”

Kumbaro deklaroi se nxënësit dhe studentët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre, por sipas saj kjo duhet të bëhet në mënyrë paqësore dhe përmes komunikimit.

Ajo theksoi se shkatërrimi i bizneseve dhe pronës nuk duhet të ngatërrohet me të drejtën e të rinjve për të protestuar.

“E vetmja mënyrë që ne kemi që energjinë pozitive, por edhe të drejtën legjitime të rinisë për të protestuar, ta kthejmë në rrugë dialogu”, u shpreh ministrja.

Ajo shtoi se Ministria e Arsimit është në komunikim me universitetet dhe institucionet arsimore, ndërsa sipas saj, në shumë shkolla mësimi po vijonte normalisht dhe mësuesit ishin në krye të detyrës.

Apel për prindërit, mësuesit dhe komunitetin

Ministrja u bëri thirrje jo vetëm prindërve dhe mësuesve, por edhe mediave, shoqërisë civile dhe komuniteteve që të kontribuojnë për mbrojtjen e fëmijëve nga situatat e dhunshme.

Sipas Kumbaros, prioritet duhet të jetë garantimi i sigurisë fizike të nxënësve dhe ruajtja e shkollës si një hapësirë e dijes dhe edukimit.

Ajo kërkoi që të rinjtë të dëgjohen dhe t’u jepet mundësia të shprehen, pa u përfshirë në akte shkatërrimi.

Në përfundim, ministrja theksoi se komunikimi dhe bashkëpunimi mes familjeve, shkollave dhe institucioneve janë rruga për të shmangur përshkallëzimin e situatës, ndërsa protestat dhe tensionet vijojnë në Tiranë dhe qytete të tjera.

Lexo edhe

Shqipëria në kaos nga protestat e studentëve, Rama për “Reuters”: Nuk do të jap dorëheqjen

Berisha thirrje për bojkot të mësimit: Biznesmenët t’i bashkohen protestës, Rama të japë dorëheqjen

Reklame