Deputetja Elisa Spiropali nuk ka qenë e pranishme në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të zhvilluar mëngjesin e kësaj të marte, në një moment kur vendi po përballet me protesta masive të studentëve dhe përplasje politike.
Mungesa e Spiropalit vjen pak ditë pasi ajo iu drejtua kryeministrit Edi Rama me një letër të hapur, ku kërkoi një zgjidhje politike për situatën e krijuar pas protestave studentore.
Arsyet e mungesës së deputetes në mbledhjen e sotme nuk janë bërë ende të ditura. Megjithatë, zhvillimi vjen në një moment të ndjeshëm për Partinë Socialiste, teksa protesta dhe kërkesat e të rinjve vijojnë të jenë në qendër të debatit publik.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Edi Rama u ka kërkuar deputetëve socialistë të vijojnë punën dhe të mbajnë kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët, për të dëgjuar shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre.
Sipas raportimeve nga mbledhja, Rama ka kritikuar mungesën e deputetëve në terren, duke u thënë se kjo po krijon perceptimin se ata janë tërhequr për shkak të protestave.
“Populli ju kërkon te ‘Pasqyra’, atje ka heshtje. Heshtja po krijon konspiracionin se deputetët janë fshehur. Po çfarë më merreni me politikë në këto ditë?”, mësohet t’u ketë thënë Rama deputetëve socialistë.
Mungesa e Spiropalit në këtë mbledhje, pas letrës së saj të hapur drejtuar kryeministrit, vjen në një kohë kur brenda kampit socialist po diskutohet mënyra se si duhet t’i përgjigjet qeveria situatës së krijuar nga protestat. Deri tani, nuk ka një konfirmim se mungesa e saj lidhet me qëndrimet e shprehura në letër.
Lexo edhe:
Rama ofron dialog, studentët i përgjigjen me fotografi të dhunës policore, jep dorëheqjen
“Jeni fshehur nga protestat?” Rama përplaset me deputetët e PS: Heshtja po ju bën të dyshimtë














