Advertisement

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka vizituar në Spitalin e Traumës efektivin e plagosur Edison Adri, i cili po merr trajtim mjekësor pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Maliq, ku humbi jetën kolegu i tij, Enea Mekolli.

Në një deklaratë për mediat, Lamallari bëri të ditur se ka kërkuar nisjen e menjëhershme të procedurave për shpalljen e efektivit të vrarë “Dëshmor i Atdheut”.

Reklame

“Kam kërkuar nisjen e procedurave të menjëhershme për shpalljen ‘Dëshmor i Atdheut’. Kemi plot 232 efektivë policie që kanë rënë në krye të detyrës. Nuk duhej ky rast, është një fatkeqësi si për familjen, ashtu edhe për gjithë shtetin shqiptar”, u shpreh ministri.

Lamallari theksoi se ka kërkuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit një vlerësim të plotë të operacionit dhe respektimit të protokolleve, duke paralajmëruar hetim të thelluar për çdo përgjegjësi të mundshme.

“Kam kërkuar të bëhet një vlerësim katërcipërisht i situatës, respektimit të protokolleve dhe ndërmarrjes së veprimeve disiplinore e ligjore. Kushdo që do të rezultojë përgjegjës do të mbajë përgjegjësi”, deklaroi ai.

Sa i përket gjendjes së efektivit Edison Adri, ministri bëri me dije se dëmtimet janë në nofull dhe në qafë, ndërsa mjekët po bëjnë gjithçka për stabilizimin dhe trajtimin e tij.

Lamallari shtoi se institucionet janë pranë familjeve të prekura nga kjo tragjedi, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Reklame