Tension në Burimas të Maliqit, ku banorët kanë dalë sërish në protestë kundër projektit që parashikon marrjen e ujit nga burimi i fshatit për furnizimin e Zvezdës.
Banorët kanë bllokuar rrugën dhe nuk kanë lejuar makineritë e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime të vijojnë punimet.
Situata është përshkallëzuar dhe ka pasur përplasje mes banorëve dhe policisë. Sipas raportimeve, gjatë protestës një i moshuar ka humbur edhe ndjenjat dhe është kërkuar ambulanca.
Banorët thonë se kanë vuajtur për vite me radhë për ujin dhe se nuk pranojnë që burimi që sot furnizon Burimasin të përdoret për një tjetër fshat.
Ata shprehen se “uji është jetë”, dhe nuk do të lejojnë që t’jua marrin.
Nga ana tjetër, Ujësjellës-Kanalizimet Korçë japin një tjetër version. Sipas institucionit, bëhet fjalë për një projekt rajonal që synon furnizimin me ujë të disa fshatrave dhe ndërhyrja nuk do të cenojë furnizimin e Burimasit.
Madje, sipas shpjegimit të dhënë sot nga drejtuesi i njësisë së projektimit, një depo me kapacitet 200 metër kub, e ndërtuar fillimisht për Burimasin dhe Ormanin, është parashikuar të përdoret edhe për furnizimin e Zvezdës pasi Ormani ka marrë një zgjidhje tjetër furnizimi.
Banorët nuk tërhiqen. Ata kërkojnë që Zvezda të gjejë një burim tjetër dhe paralajmërojnë se protestat do të vijojnë nëse projekti zbatohet në këtë formë.
Lexo edhe
E dashurojmë BE-në, mos na lini në baltë!, Rama: Vendimet për zgjerimin të merren tani














