Rinasit sot bëri atë që di ta bëjë më mirë politika shqiptare: të prodhojë më shumë pyetje sesa përgjigje.
Edi Rama mbërriti në aeroport pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën kohë, në Rinas ishte edhe Sali Berisha, i cili po udhëtonte drejt Strasburgut.
Deri këtu, gjithçka është e dokumentuar. Të dy politikanët kanë qenë në aeroport në të njëjtën kohë.
Pastaj fillon pjesa interesante.
Në disa media u publikua një reagim që i atribuohet ish-deputetit të PD-së Ervin Salianji, ku pretendohet se Rama dhe Berisha kanë zhvilluar një takim “kokë më kokë” dhe kërkohet që të bëhet publike çfarë është diskutuar mes tyre.
Salianji ngre pyetje të forta: çfarë u diskutua, nëse Rama u tërhoq nga ndonjë qëndrim, nëse pati garanci të ndërsjella apo nëse u diskutua ndonjë marrëveshje politike.
Problemi është se, përpara se të pyesim çfarë u thanë, duhet të dimë diçka shumë më të thjeshtë:
A u takuan vërtet apo jo?
Sepse deri tani, ajo që mund të thuhet publikisht është se Rama dhe Berisha ndodheshin në Rinas në të njëjtën kohë. Për një takim “kokë më kokë” nuk kemi një konfirmim publik nga dy politikanët. Edhe raportimet që qarkullojnë e trajtojnë si pretendim apo dyshim, jo si një fakt të konfirmuar.
Dhe këtu historia fillon të bëhet paksa ironike.
Dy njerëz në të njëjtin aeroport nuk do të thotë domosdoshmërisht se jane takuar kur dihet fare mire se sot Rinasi ishte i mbushur me gazetar e media.
NËSE VËRTETË JANË TAKUAR NË KËTË KOHË ËSHTË LAJM I MADH
Të jemi të qartë: nëse Rama dhe Berisha janë takuar realisht dhe kanë zhvilluar një bisedë private në këtë moment politik, kjo do të ishte një ngjarje me peshë.
Dhe në një situatë të tillë, është krejt normale që publiku të kërkojë transparencë.
Berisha mund të dalë dhe të thotë:
“Po, u takova me Ramën.” Ose: “Jo, nuk jam takuar me Ramën.”
Ka mbaruar. Një fjali mund ta sqarojë gjithë historinë.
Por nëse takimi nuk ka ndodhur, atëherë historia ndryshon krejt.
Sepse atëherë lind pyetja se mbi çfarë është ndërtuar gjithë kjo narrativë.
DHE KËTU DEL EDHE SALIANJI
Salianji ka kërkuar publikisht që Berisha të bëjë transparencë për një takim që ai pretendon se ka ndodhur.
Por nëse takimi nuk është konfirmuar, edhe Salianji duhet të japë një përgjigje shumë të thjeshtë:
Nga e mori informacionin? Kush ia konfirmoi? Kush i tha se Rama dhe Berisha kanë biseduar “kokë më kokë”?
Sepse të ngresh pyetje është normale. Por të ndërtosh pyetje mbi një fakt që ende nuk është provuar është diçka tjetër.
Salianji ka pasur një histori të njohur gjyqësore për kallëzim të rremë, për të cilën u dënua me një vit burg në çështjen “Babale”. Kjo është një çështje e dokumentuar dhe mund të përmendet si pjesë e profilit të tij publik.
Megjithatë, pikërisht për këtë arsye, standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë:
Pretendimi kërkon provë. Jo simpati.Jo antipati.Jo histori të vjetra. Jo “ma thanë”. Por duhen prova dhe Salianji si politikan i djegur nga “mashtrimi” duhet te na faktoje me prova se ndryshe do na detyroje ti themi se vesi del me shpirtin.
Lexo edhe
Berisha: Anulimi i konferencës për shtyp nga Padrino, kapitullim pa kushte para mediave














