Advertisement

Kemi zgjedhur të mos publikojmë në portalin tonë videot intime që ditën e sotme janë shpërndarë në rrjet. E kami bërë këtë zgjedhje me vetëdije dhe për një arsye shumë të thjeshtë: jo çdo material që mund të tërheqë vëmendjen e publikut përbën lajm dhe jo çdo gjë që mund të qarkulloje duhet të publikohet.

Për ne, gazetaria nuk është të hysh në jetën intime të njerëzve, të marrësh situata personale dhe t’i ekspozosh publikisht vetëm sepse mund të prodhojnë klikime, reagime apo spektakël.

Reklame

Në rastin konkret, bëhet fjalë për materiale të karakterit intim dhe personal, për autenticitetin e të cilave nuk kemi as mundësi dhe as ekspertizë të japim një vlerësim, ndërsa nga sa është bërë publike deri tani nuk shohim një element të qartë që t’i japë këtyre pamjeve një interes publik të mjaftueshëm për të justifikuar publikimin e tyre.

Edhe më e rëndësishme është pyetja themelore: çfarë interesi publik përmban jeta intime e një artisti, nëse në atë material nuk dokumentohet një shkelje ligji, korrupsion, abuzim me detyrën apo ndonjë çështje tjetër që prek realisht shoqërinë? Të jesh personazh publik nuk do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për privatësi.

Pikërisht këtu ndahet gazetaria nga sensacionalizmi. Një gazetar mund të publikojë një informacion që dikujt nuk i pëlqen, madje edhe kur ai informacion prek një figurë publike, nëse ekziston një interes real publik dhe nëse materiali verifikohet e trajtohet me standarde profesionale. Por ekspozimi i jetës intime të njerëzve, pa një interes të tillë, nuk bëhet gazetari vetëm sepse publikohet në një rrjet social apo portal.

Prandaj ne kemi zgjedhur të mos i publikojmë këto video në portalin tonë. Nuk duam që media jonë të shndërrohet në një kanal shpërndarjeje të materialeve intime të njerëzve dhe as të kontribuojmë në një mekanizëm ku denigrimi i një personi kthehet në përmbajtje dhe përmbajtja në klikime.
Nëse dikush pretendon se këto materiale zbulojnë një çështje me interes publik, atëherë kjo duhet të shpjegohet dhe të provohet. Interesi publik nuk është e njëjta gjë me kureshtjen publike. Fakti që njerëzit duan ta shohin një video nuk do të thotë se shoqëria ka të drejtë ta shohë atë.

Në këtë pikë mendojmë se institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë punën e tyre. I bëjmë thirrje AMA-s dhe AKEP-it, secilit brenda kompetencave të veta, të verifikojnë këtë veprimtari dhe të vlerësojnë nëse publikimi dhe shpërndarja e materialeve të tilla respekton kuadrin ligjor, të drejtat e privatësisë dhe standardet që duhet të respektohen nga subjektet që ushtrojnë veprimtari mediatike apo komunikimi publik.

Nuk është çështje censurimi të medias. Përkundrazi. Është çështje e një pyetjeje shumë më të rëndësishme: a do të pranojmë që çdo material intim i një personi të bëhet publik vetëm sepse dikush vendosi ta publikojë dhe sepse ekziston një audiencë që dëshiron ta shohë?

Ne themi jo.

Gazetaria duhet të informojë publikun, jo të shkatërrojë privatësinë e individit për të prodhuar klikime. Dhe për këtë arsye, këto video nuk do të publikohen në portalin tonë.

Lexo edhe:

NGA “KAZANËT” TE “AGJENTËT SERBË”/ Kur pushteti nuk pëlqen pyetjen, godet gazetarin

Gazment Bardhu sulmon Ramën: Po fshihet pas komunikimeve të kontrolluara ka frikë nga gazetarët

Reklame