Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të nderohen me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës, pas nismës së kryebashkiakut Erion Veliaj.
Propozimi për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është miratuar unanimisht nga Komisioni Artistik-Kulturor i Bashkisë së Tiranës dhe ka vijuar procedurat institucionale për shqyrtim nga Këshilli Bashkiak.
Motivacioni lidhet me rolin dhe kontributin e tyre në Luftën Çlirimtare të Kosovës, përfaqësimin politik të Kosovës dhe rrugëtimin drejt lirisë e pavarësisë, si edhe me lidhjet e tyre me Tiranën.
Për Thaçin, motivacioni përmend kontributin në luftën çlirimtare, përfaqësimin politik të Kosovës dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Për Veselin dhe Selimin theksohet roli i tyre në UÇK dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, ndërsa për Krasniqin përmendet edhe lidhja e hershme me Tiranën si një nga qendrat e mbështetjes për Kosovën.
Veliaj e kishte propozuar këtë nismë më 19 shtator, duke argumentuar se nderimi nuk synon të zëvendësojë drejtësinë, por të shprehë vlerësimin e Tiranës për atë që ai e konsideron kontribut historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.
“Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata”, ishte shprehur Veliaj në mesazhin e tij.
Vendimi vjen në një periudhë të ndjeshme për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Nderimi nga Bashkia e Tiranës është paraqitur si një akt simbolik dhe institucional, i ndarë nga procesi gjyqësor.
Lexo edhe
SPAK refuzon kërkesën për pjesëmarrjen e Veliajt në mbledhjen e Këshillit Bashkiak














