Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme disa banesa të ndodhura ngjitur me njëra-tjetrën në lagjen “Loni Dhamo” në qytetin e Lushnjës, duke shkaktuar alarm dhe panik te banorët e zonës.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, si edhe forca të shumta të Policisë, të cilat po punojnë për izolimin e flakëve dhe vënien e situatës nën kontroll, me qëllim shmangien e përhapjes së mëtejshme të zjarrit drejt banesave të tjera.

Reklame

Si pasojë e tymit të dendur, një vajzë në moshë të re është transportuar me urgjencë drejt spitalit, pasi ka shfaqur shenja asfiksie. Burime nga spitali bëjnë me dije se ajo ndodhet nën kujdes mjekësor dhe jashtë rrezikut për jetën.

Fatmirësisht, të gjithë banorët e banesave të prekura nga zjarri kanë arritur të dalin në kohë nga shtëpitë e tyre dhe nuk raportohet për persona të tjerë të lënduar.

Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa pritet edhe një njoftim zyrtar që do të hedhë dritë mbi rrethanat dhe dëmet e shkaktuara.

Reklame