Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar se protesta e së shtunës do të jetë ndryshe nga të tjerat dhe se kryengritja paqësore kalon në fazën e diversifikimit të aksioneve dhe veprimtarive të saj.
“E shtuna është dita e kryengritjes paqësore. Qytetarët mezi e presin për të shprehur zemërimin, revoltën dhe urrejtjen e tyre ndaj hajdutëve. Do të jetë një revoltë, një kryengritje më e fuqishmja që ka njohur vendi,” tha Berisha.
Ai theksoi se qytetarët do të informohen për të gjitha veprimtaritë në përputhje me vendimet që do merren, duke e quajtur këtë protestë “ditën e triumfit të opozitës dhe të shqiptarëve mbi hajdutët.”
Kjo do të jetë protesta e katërt kombëtare e opozitës, ndërsa tensionet pritet të jenë të larta, duke u paralajmëruar një lëvizje më të organizuar dhe me forma të reja të veprimit.















