Një borxh i pashlyer dyshohet se qëndron në themel të konfliktit që përfundoi me plagosjen me armë zjarri të 22-vjeçarit Elvis Zirka në Tiranë. Në kërkim për ngjarjen është shpallur 28-vjeçari Sokol Zeka, i njohur edhe si Troka, i dyshuar si autor i plagosjes.

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00, në rrugën “Medar Shtylla”. I riu mbeti i plagosur dhe u transportua në spital, ku po merr kujdes mjekësor.

Reklame

Dyshimet për një borxh të pashlyer

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, konflikti mes dy të rinjve dyshohet se ka nisur më herët dhe nuk lidhet vetëm me një përplasje të çastit.

Dyshimet e hetuesve përqendrohen te një shumë parash që Sokol Zeka dyshohet se kishte marrë borxh nga Elvis Zirka, por që nuk ia kishte kthyer.

Gjatë dëshmisë së tij para grupit hetimor, 22-vjeçari ka deklaruar se njihej prej kohësh me Zekën dhe se i kishte dhënë para borxh. Ai nuk ka bërë të ditur shumën e parave dhe as arsyen për të cilën ia kishte huazuar.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse përplasjet mes tyre kanë nisur jashtë Shqipërisë, përpara se konflikti të përshkallëzohej në përdorimin e armës së zjarrit në Tiranë.

Sokol Zeka vijon të jetë në kërkim

Ndërkohë, Sokol Zeka, 28 vjeç, vijon të jetë në kërkim. Policia po punon për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e plagosjes dhe motivin e dyshuar.

Pista e borxhit mbetet pjesë e hetimit dhe nuk përbën ende një motiv të konfirmuar zyrtarisht. I dyshuari prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Lexo edhe

Tensione në protestë, policia ndërhyn dhe shoqëron protestuesit

Denoncoi dhunën, u kthye në shtëpi e shoqëruar nga policia dhe u vra/ Kosova kërkon përgjegjësi institucionale

Reklame