Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur veprimet hetimore dhe verifikuese për të shqyrtuar mënyrën se si Policia e Kosovës ka trajtuar raportimet e bëra nga Arlinda Zekaj, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës.
Sipas IPK-së, hetimet synojnë të vlerësojnë nëse veprimet e zyrtarëve policorë kanë qenë në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse, si dhe të identifikojnë përgjegjësi të mundshme individuale apo institucionale.
“Qëllimi i këtyre veprimeve është vlerësimi i ligjshmërisë dhe përputhshmërisë së veprimeve policore me procedurat dhe detyrimet ligjore, si dhe identifikimi i përgjegjësive eventuale individuale dhe institucionale”, thuhet në përgjigjen e institucionit.
IPK do të shqyrtojë komunikimin me viktimën
Inspektorati ka bërë të ditur se në kuadër të procesit do të analizojë edhe shqetësimet e ngritura në media lidhur me mënyrën se si zyrtarët policorë kanë trajtuar rastin.
Verifikimet do të përfshijnë komunikimin e policisë me Arlinda Zekajn, kohën e reagimit ndaj raportimeve të saj dhe veprimet e ndërmarra nga zyrtarët përgjegjës.
Hetimet kanë nisur pas raportimeve në mediat e Kosovës se e ndjera kishte kërkuar ndihmë disa herë, duke shprehur shqetësimin se ndihej e rrezikuar, por se ndaj raportimeve të saj nuk ishin marrë masa të mjaftueshme.
Në media janë publikuar edhe pjesë të komunikimit të pretenduar mes saj dhe një zyrtari policor. Mes tyre përmendet shprehja “Faruk, jam lodh, të lutem”, si dhe pretendimi se polici i ishte përgjigjur: “Nuk të pranoj më”.
Këto raportime dhe rrethanat e reagimit policor do të jenë pjesë e verifikimeve të IPK-së. Përgjegjësitë eventuale do të përcaktohen në bazë të rezultateve të hetimit.
Lexo edhe
Dy ditë në arrati pas vrasjes së Arlinda Zekajt, Albert Sylaj kapet në Deçan
Arlinda Zekaj denoncoi dhunën, por u vra pranë shtëpisë, Kurti: Urgjencë kombëtare për drejtësinë














