Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me ankesat e Erion Veliajt për trajtimin në burg, pas transferimit të kryebashkiakut të Tiranës nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Në një prononcim për mediat pas seancës plenare, Balla tha se ankesat që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve duhet të verifikohen nga institucionet përgjegjëse. Ai konfirmoi se çështjen ia ka përcjellë Ministrit të Drejtësisë.
“Çështjet që lidhen me respektimin e të drejtave dhe trajtimin e të paraburgosurve apo të burgosurve duhet të verifikohen dhe të trajtohen me seriozitet”, u shpreh Balla.
Balla: Nuk bëhet fjalë vetëm për Veliajn
Balla theksoi se ndërhyrja e tij nuk lidhet vetëm me rastin e Erion Veliajt, por me çdo ankesë që i përcillet në cilësinë e deputetit, në përputhje me kuadrin ligjor.
Ai përmendi edhe ankesa të marra nga ish-presidenti Ilir Meta, duke sqaruar se rastet e tilla ia ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë për trajtim.
“Jo për shokun tim Erion Veliajn, dhe për këdo tjetër, unë e kam thënë edhe për persona të tjerë. Kushdo që më ka dërguar si deputet, në kuadër të ligjit për statusin e deputetit, një ankesë lidhur me një çështje të trajtimit, padyshim që ia kam kaluar Ministrit të Drejtësisë”, deklaroi Balla.
Verifikim nga institucionet përgjegjëse
Sipas Ballës, ankesat për trajtimin në institucionet e vuajtjes së dënimit duhet të shqyrtohen nga Avokati i Popullit, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Ai tha gjithashtu se ka kërkuar që çështjet që lidhen me respektimin e të drejtave të të paraburgosurve dhe të dënuarve të trajtohen edhe në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Deklaratat e Ballës vijnë pas transferimit të Veliajt në burgun e Fierit dhe ankesave të raportuara prej tij lidhur me trajtimin në institucionin e vuajtjes së dënimit. Verifikimi institucional pritet të sqarojë pretendimet e ngritura.
Lexo edhe
Nga Genc Pollo tek Stresi dhe vajza e Nishanit, ja LISTA e kandidatëve të PD për Këshillin Kombëtar
Përplasje për datën e zgjedhjeve vendore, Balla ironizon PD-në: Bojkotin e kanë provuar














