Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani që u plagos rëndë në syrin e majtë gjatë protestës studentore të 24 tetorit në Tiranë, ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga spitali në Itali, pas ndërhyrjes kirurgjikale.
“Kur Zoti vendos të bëjë mrekulli, asgjë nuk është e pamundur”, shkruan i riu, duke përcjellë mesazhin e tij pas operacionit që, sipas informacionit të bërë publik, i shpëtoi syrin.
Edhe miqtë dhe të afërmit e tij kanë publikuar fotografi nga spitali, duke e shoqëruar me mbishkrimin “Tigri ynë!”, në shenjë mbështetjeje për 28-vjeçarin gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Pavarësisht përfundimit me sukses të ndërhyrjes kirurgjikale, rikuperimi i plotë i shikimit mbetet për t’u vlerësuar nga mjekët në vijim.
Prokuroria heton plagosjen gjatë protestës
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat në të cilat u plagos Vishkulli, si dhe për të verifikuar dyshimet për përdorim joproporcional të forcës nga punonjës të Policisë së Shtetit.
Në kuadër të hetimeve, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë pranë Bankës së Shqipërisë, është këqyrur vendngjarja dhe janë marrë si prova materiale gëzhoja municionesh me plumba gome.
Gjithashtu, po verifikohen armët dhe municionet e përdorura nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Përmes ekspertizave, hetuesit synojnë të përcaktojnë llojin e objektit që shkaktoi plagosjen e 28-vjeçarit dhe të identifikojnë personin që mund të ketë qëlluar.
Hetimi përfshin edhe raste të tjera të personave të dëmtuar gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ndërsa pritet që veprimet hetimore të ndihmojnë në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Lexo edhe
U plagos në protestën në Tiranë, Erjon Vishkulli shfaqet nga spitali me mesazh besimi
Qeveria akordon 5 milionë lekë për Erion Vishkullin, mjekët në Itali i shpëtojnë syrin














