Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj protestave në Tiranë, duke i cilësuar protestuesit si një “turmë dhunuesish urbanë” dhe duke i akuzuar se kanë marrë peng kryeqytetin. Në një mesazh drejtuar qytetarëve, kreu i qeverisë tha se askush nuk mund të flasë apo të vendosë në emër të popullit pa pasur mandatin e tij.
“Kush janë këta dhe në emër të kujt duan të na imponojnë forcën e antiligjit dhe të antinjerëzillëkut?”, ishte pyetja që ngriti Rama, duke kritikuar mënyrën se si po zhvillohen protestat dhe duke pretenduar se veprimet e protestuesve cenojnë lirinë e qytetarëve të tjerë.
Sipas kryeministrit, situata nuk prek vetëm qeverinë apo mbështetësit e saj, por edhe qytetarët që nuk e kanë votuar Partinë Socialiste dhe që, pavarësisht bindjeve politike, duan të lëvizin lirshëm në kryeqytet.
Rama pretendoi se protestat janë shoqëruar me akte dhune, dëmtime të pronës dhe përplasje me Policinë e Shtetit. Ai kritikoi gjithashtu bllokimin e rrugëve dhe atë që e cilësoi si cenim të normave të bashkëjetesës në qytet.
Rama: Nuk kanë autorizim të flasin në emër të popullit
Kreu i qeverisë kundërshtoi pretendimet e protestuesve se përfaqësojnë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj sistemit dhe qeverisjes.
“Fatmirësisht askush nuk është populli veç popullit”, deklaroi Rama, duke shtuar se grupet që kërkojnë dorëheqjen e tij nuk kanë autorizim për të folur në emër të të gjithë shqiptarëve.
Ai e cilësoi grupimin e protestuesve si një “mishmash kategorish” dhe kritikoi edhe mediat televizive, të cilat sipas tij po i japin vëmendje të tepruar dhunës dhe paligjshmërisë.
“Ky mishmash i të keqkuptuarish që kanë marrë peng Tiranën […] nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe autorizim për të folur për popullin”, u shpreh kryeministri.
“Vetëm populli i jep mandatet”
Në përfundim të mesazhit, Rama theksoi se e drejta për të përfaqësuar qytetarët buron nga vetë populli, duke kundërshtuar idenë se protestuesit mund të pretendojnë se flasin në emër të tij.
“As kjo turmë e verbër dhe as ne vetëm, por vetëm populli i jep mandatet”, tha Rama.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një klimë tensionesh politike dhe protestash kundër qeverisë, ku kërkesat për dorëheqjen e tij janë shoqëruar me përplasje dhe debate mbi të drejtën e protestës, rendin publik dhe reagimin e autoriteteve.
Lexo edhe
Rama i përgjigjet Berishës për taksat: “Grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes”
Rama nuk heq dorë nga dialogu me studentët, ftesat vendosen sërish mbi Sofrën e Gurit














