Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, do të paraqitet të enjten, më 24 shtator, para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
GJKKO ka njoftuar zyrtarisht se seanca për marrjen në pyetje të Hysenit është caktuar në orën 12:00.
Më herët, në orën 09:00, do të zhvillohet seanca për marrjen në pyetje të dy personave të tjerë nën hetim në të njëjtin procedim, Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani. Për të dy është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa ndaj Hysenit është caktuar “arrest në shtëpi”.
Dyshimet e SPAK ndaj Hysenit
Vlora Hyseni është nën hetim në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Sipas njoftimit të GJKKO-së, ndaj saj janë ngritur dyshime për veprat penale të parashikuara nga neni 302/2 dhe neni 295/a/1 i Kodit Penal, që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete.
Hetimi lidhet me dosjen ku është përfshirë edhe Ergys Agasi, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest në burg”. Në kuadër të së njëjtës çështje janë kryer edhe kontrolle të tjera, përfshirë banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe një kompleks vilash në Shkozet të Durrësit.
Nga Baku në Prishtinë dhe më pas në Shqipëri
Në momentin kur ndaj saj u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga detyra, Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, në kuadër të një vizite zyrtare.
Pas marrjes dijeni për masën e sigurisë, ajo udhëtoi drejt Prishtinës, ku mbërriti me charter dhe qëndroi për disa orë.
Më pas, në pikën kufitare të Vërmicës, Hyseni iu dorëzua autoriteteve shqiptare dhe u shoqërua drejt Tiranës për zbatimin e masës së arrestit në shtëpi. Ky itinerar është raportuar edhe nga mediat që kanë ndjekur zhvillimet e fundit.
Tashmë, ish-drejtoresha e SHISH do të përballet me pyetjet e gjykatës në një seancë që pritet të sjellë zhvillime të reja në një prej hetimeve më të ndjeshme të SPAK-ut.
Ndërkohë, pas largimit të Hysenit nga drejtimi i SHISH, kompetencat e drejtimit të institucionit i janë deleguar përkohësisht Elvis Lilës.
Lexo edhe:
Begaj dekretoi shkarkimin e Vlora Hysenit, Bardhi i revoltuar: Jep llogari pse e emërove
PAS VLORA HYSENIT, RADARI TEK JURGEN KOLE? / A po heton SPAK dekonspirimin e operacioneve















