Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza ndaj qeverisë për çështjen e biznesmenit Ermal Beqiraj, i cili ndodhet në hetim nga SPAK dhe është arrestuar së fundmi në Francë.
Në një konferencë për mediat, Berisha pretendoi se Beqiraj, të cilin e cilësoi si “prestanome të Edi Ramës dhe Frangut”, vijon të përfitojë pagesa nga kontrata publike, pavarësisht procedimeve penale ndaj tij.
“Ermal Beqiri prestanome i Ramës dhe Frangut, prej 7 muajsh në kërkim, por së fundmi ministria i disburson 8.5 milionë euro”, ishte akuza e Berishës.
Sipas tij, rasti tregon një lidhje të dyshuar mes politikës dhe krimit, duke akuzuar institucionet se nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për bllokimin e kompanive të personave nën hetim.
“Krimi dhe shteti, shteti dhe krimi janë një dhe të pandarë”, deklaroi Berisha, duke shtuar se sipas tij kompania e Beqirajt vazhdon të paguhet me miliona euro.
Berisha foli edhe për raste të tjera që ai i cilësoi si tregues të mosveprimit të institucioneve të drejtësisë, duke përmendur emra dhe biznese që sipas tij duhet të ishin objekt hetimi apo sekuestrimi.
Nga ana tjetër, pretendimet e bëra nga Berisha janë akuza politike dhe nuk përbëjnë fakte të provuara nga një vendim gjyqësor.
Çështja ndaj Ermal Beqirajt vijon të jetë nën hetim nga autoritetet shqiptare, ndërsa ai u arrestua në Francë pas një urdhër-kërkimi ndërkombëtar. SPAK e dyshon për disa vepra penale, përfshirë akuza që lidhen me tenderat dhe grupin e strukturuar kriminal.
Lexo edhe:
Berisha pas daljes nga SPAK: “Altin Troplinit i shtuam një mbiemër turpi, Altin Aruba”
Berisha nga SPAK: “Duhet hetuar nëse kështjella e Ermal Beqirit është e Edi Ramës”








