Një tjetër procedim penal për tjetërsim të dyshuar pronash në Fier ka çuar në arrestimin e ish-drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier, Ertis Shehu, dhe përfituesit të pronave, Ervin Habilaj.

Prokuroria e Fierit dyshon se në zonën e Levanit dhe Dërmënasit janë regjistruar në mënyrë të kundërligjshme rreth 71.7 hektarë tokë, pavarësisht se për një pjesë të kësaj toke ishte përfituar më herët kompensim financiar nga shteti.

Reklame

Në kuadër të hetimit është sekuestruar edhe një shumë prej 715,976 eurosh, e depozituar në llogarinë bankare të Habilajt.

Për ish-hartografin pranë ASHK Fier, Emiljano Ruko, është caktuar masa e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore”.

Kompensimi prej 53.8 milionë lekësh

Sipas Prokurorisë, hetimi lidhet me një vendim të vitit 2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, përmes të cilit ishte njohur e drejta e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit.

Një prej trashëgimtarëve përfitues, Ervin Habilaj, kishte përfituar në vitin 2018 kompensim financiar prej 53.8 milionë lekësh, sipas vendimit të Agjencisë së Trajtimit të Pronave.

Megjithatë, sipas hetimeve, gjatë vitit 2023 Habilaj ka ndjekur procedura për regjistrimin e gjashtë pasurive në zonën kadastrale nr. 2436, me sipërfaqe totale rreth 71.7 hektarë, duke iu referuar vendimit të vitit 2008.

Prokuroria dyshon se në trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit kanë pasur rol ish-drejtori i ASHK Fier, Ertis Shehu, dhe ish-hartografi Emiljano Ruko.

Disa prona dyshohet se u shitën

Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë tjetërsuar përmes shitjes, duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme.

Prokuroria thotë se hetimi vijon për të verifikuar transaksionet, për të gjurmuar vlerat monetare të përfituara dhe për të përcaktuar destinacionin e tyre.

Përveç 715,976 eurove, gjatë hetimit janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera që pritet t’i nënshtrohen verifikimeve.

Hetuesit po vijojnë gjithashtu punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale.

Shehu përballet edhe me hetimin për pronat në Seman

Ndërkohë, ish-drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, është nën masë sigurie edhe në kuadër të një tjetër hetimi për tjetërsim të dyshuar pronash në Seman.

Në atë procedim, Prokuroria dyshon se biznesmeni Kastriot Hasko ka përdorur dokumente të falsifikuara për regjistrimin e pronave, ndërsa në kuadër të hetimeve janë sekuestruar 76 pasuri, me sipërfaqe totale rreth 1,143 hektarë, si dhe një shumë prej 150 mijë eurosh.

Për këtë episod janë përfshirë në hetim edhe ish-drejtori i Kadastrës, Bardhyl Kapaj, dhe juristi Piro Çela.

Të gjitha këto janë pjesë e hetimeve dhe përgjegjë penale e personave të proceduar do të përcaktohet nga gjykata.

Lexo edhe :

Shoqërohet në polici ish-drejtori i Kadastrës/ Ertis Shehu merret në pyetje në Fier

14 masa sigurie për falsifikim dokumentesh në Kadastër, në kërkim edhe ish-kandidati i PS në Dibër

Reklame