Një ngjarje kriminale është zbardhur nga Policia e Lushnjës, ku një automjet u dogj pranë banesës së pronarit në fshatin Pluk, pas një konflikti për motive pronësie.

Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit D. V., i cili denoncoi se automjeti i tij ishte djegur gjatë natës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë nisën hetimet intensive për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Reklame

Si rezultat i veprimeve operacionale, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit M. B., 39 vjeç, banues në fshatin Pluk, i njohur edhe për precedentë penalë.

Nga hetimet ka rezultuar se djegia e automjetit dyshohet të jetë kryer me porosi të një 28-vjeçari, shtetasit A. Z., i cili aktualisht është në kërkim nga policia. Sipas të dhënave paraprake, ai kishte konflikte të mëparshme për çështje pronësie me xhaxhanë e pronarit të automjetit.

Policia po vijon punën për kapjen e 28-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Reklame