TIRANË – Tensionet e regjistruara mbrëmjen e 1 shtatorit para Kryeministrisë kanë vijuar me arrestime. Policia e Tiranës ka arrestuar 14 persona dhe ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 3 të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, personat e arrestuar janë Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli, Desiderjo Alimucaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe Aumiraldi Dalliu.

Reklame

Ndërkohë, materialet janë referuar në Prokurori për shtetasit me inicialet M. J., 47 vjeç, A. T., 54 vjeç dhe A. G., 56 vjeç, ndaj të cilëve ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Sipas Policisë, rreth orës 20:00, një grup protestuesish u grumbulluan në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë, duke bllokuar hyrje-daljet e institucionit. Në atë moment, sipas autoriteteve, në godinë ndodheshin personalitete të larta shtetërore.

Policia krijoi një kordon sigurie për të penguar depërtimin e protestuesve brenda perimetrit të sigurisë. Efektivët u kanë bërë thirrje për rreth 30 minuta, përmes megafonit, që të shpërndaheshin dhe të lironin rrugën.

Autoritetet pretendojnë se protestuesit vijuan qëndrimin në rrugë, duke penguar qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e personaliteteve shtetërore.

Situata u tensionua më tej kur policia ndërhyri për të liruar hyrje-daljet e Kryeministrisë dhe rrugën. Sipas Policisë, disa prej protestuesve bënë rezistencë aktive, u ulën në rrugë dhe goditën e shtynë punonjësit e Policisë.

Në përfundim të veprimeve, 14 persona u arrestuan, ndërsa për 3 të tjerë nisi procedimi penal në gjendje të lirë.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Hetimet për ngjarjen vijojnë.

Lexo edhe:

Pas përplasjeve me policinë, protestuesit largohen nga Kryeministria, nisin marshimin

Protesta përshkallëzohet, qytetarët bllokojnë hyrjen e Kryeministrisë! Rama brenda godinës, zbarkojnë Forcat Speciale

Reklame