TIRANË – Pas tensioneve dhe përplasjes mes policisë dhe protestuesve mbrëmjen e 1 shtatorit para Kryeministrisë, ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Bardhi ka dënuar atë që e cilëson si “dhunë të Policisë” ndaj protestuesve, ndërsa ka kërkuar lirimin e 14 personave të arrestuar pas protestës.
Në reagimin e tij, Bardhi thekson se protesta ka vijuar prej 95 ditësh dhe e konsideron atë një formë rezistence qytetare ndaj qeverisë.“95 ditë protestë. 95 ditë rezistencë. Dhe përgjigjja e qeverisë? Dhunë dhe polici!”, shkruan Bardhi.
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, përdorimi i forcës nga pushteti tregon mungesë argumentesh dhe pamundësi për të dëgjuar qytetarët.“Kur një pushtet nuk ka më argumente, përdor forcën. Kur nuk dëgjon më qytetarët, përpiqet t’i trembë. Por qytetarët nuk tremben”, shprehet ai.
Bardhi ka vijuar reagimin duke thënë se një protestë nuk mund të ndalohet përmes forcës dhe se qytetarët nuk mund të heshtin përmes arrestimeve.
Ai ka akuzuar Policinë e Shtetit për keqpërdorim dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të 14 protestuesve të arrestuar, të cilët i cilëson si të arrestuar padrejtësisht.
Reagimi i Bardhit vjen një ditë pasi Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e 14 personave dhe procedimin penal në gjendje të lirë të 3 të tjerëve pas protestës para Kryeministrisë.
Sipas Policisë, protestuesit kishin bllokuar hyrje-daljet e Kryeministrisë dhe qarkullimin e mjeteve, ndërsa gjatë ndërhyrjes për lirimin e rrugës disa prej tyre kishin kundërshtuar me forcë efektivët.
Lexo edhe:
Pas përplasjeve me policinë, protestuesit largohen nga Kryeministria, nisin marshimin















