TIRANË – Ka nisur takimi i kryeministrit Edi Rama me ministrat dhe 12 drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, i cili po zhvillohet në një vilë qeveritare në periferi të Tiranës.
Mbledhja ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej në selinë e Partisë Socialiste, por vendi i takimit është ndryshuar në kushtet e thirrjeve për protestë përpara selisë rozë.
Protestuesit kishin paralajmëruar zhvillimin e një tubimi dhe, sipas raportimeve, kishin bërë thirrje edhe për hedhjen e vezëve ndaj pjesëmarrësve në mbledhje.
Për këtë arsye, takimi është zhvendosur në një prej vilave qeveritare, ku Rama ka mbledhur ministrat e kabinetit dhe drejtuesit politikë të qarqeve.
Takimi vjen pak ditë pas mbledhjeve dyditore në Pogradec dhe pas mbledhjes së qeverisë, ndërsa në fokus pritet të jenë organizimi politik, problematikat e qytetarëve dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Në Pogradec socialistët prezantuan edhe platformën “Pasqyrë Albania”, e cila synon të mbledhë dhe të ndjekë ankesat e qytetarëve, ndërsa Rama u ka kërkuar ministrave dhe drejtuesve politikë një prani më të madhe në terren.
Zhvendosja e takimit nga selia e PS-së në një ambient qeveritar vjen në një klimë të tensionuar politike, ku protestat kundër qeverisë vijojnë prej javësh.
Lexo edhe:
Pas mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Rama sot takim me ministrat e drejtuesit politikë
Ndryshimet në qeveri/ Rama pritet të largojë të paktën 5 ministra















