Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur pasditen e sotme në Dukagjin, ku dy persona janë vrarë me armë zjarri dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.

Sipas informacioneve paraprake të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:20 në fshatin Mgull, Njësia Administrative Pult.

Reklame

Viktimat janë identifikuar paraprakisht si Lekë Gjoni dhe Prel Gjoni, babë e bir.

Nga të shtënat ka mbetur i plagosur rëndë edhe Aleks Preka, i cili dyshohet se ndodhej me dy viktimat në momentin e ngjarjes.

Dyshohet për gjakmarrje

Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa një prej pistave që po hetohet është gjakmarrja, për shkak të historikut të konflikteve dhe vrasjeve të mëparshme në zonën e Dukagjinit.

Pak më shumë se një muaj më parë, më 11 korrik, në këtë zonë u vra 40-vjeçari Aleksandër Koçeku. Ai u qëllua me breshëri plumbash teksa lëvizte nga Kiri në drejtim të Prekalit.

Sipas të dhënave të bëra publike pas asaj ngjarjeje, Koçeku ishte pjesë e një konflikti të vjetër gjakmarrjeje, pasi vëllai i tij, Artan Koçeku, ndodhet në burg për vrasjen e Angjelin Shkambit, ngjarje e vitit 2017.

Megjithatë, në këtë fazë nuk ka një konfirmim zyrtar se vrasja e sotme lidhet me gjakmarrjen.

Policia drejt vendngjarjes

Zona ku ka ndodhur ngjarja është një terren i thellë malor, ku lëvizja dhe komunikimi janë të vështira.

Forca të shumta të Policisë Vendore dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, janë nisur drejt vendngjarjes.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, zbardhjen e rrethanave, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.

Hetimet janë në vijim dhe pritet që policia të japë më shumë detaje për motivin dhe dinamikën e vrasjes së dyfishtë në Dukagjin.

Lexo edhe:

9 orë seancë/ Lihet në qeli Sokrat Vata, 2 turqit e 3 kamarierët, për vrasjen e portugezit

6 minuta nga nisja e sherrit te largimi i Sokrat Vatës, kamerat zbardhin dinamikën e vrasjes në Ksamil

Reklame