Një gjykatë federale në SHBA ka rrëzuar politikën e administratës së Donald Trump për pezullimin e lëshimit të vizave emigruese për shtetasit e 75 vendeve, duke e cilësuar masën në kundërshtim me ligjin federal të emigracionit.
Vendimi u dha të premten nga gjyqtarja federale Jeannette Vargas në Manhattan dhe prek një politikë të Departamentit amerikan të Shtetit të shpallur në janar.
Sipas gjykatës, administrata Trump kishte tejkaluar kompetencat ligjore të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, duke pezulluar lëshimin e vizave mbi bazën e shtetësisë së aplikantëve.
Në listën e vendeve të prekura ishte edhe Shqipëria, së bashku me Bosnjë-Hercegovinën, Brazilin, Kolumbinë, Uruguain, Pakistanin, Bangladeshin dhe dhjetëra vende të tjera të Afrikës, Lindjes së Mesme, Azisë dhe Karaibeve.
Vendimi erdhi pas padisë së ngritur nga organizata për të drejtat e emigrantëve dhe disa aplikantë për viza, të cilët kundërshtuan pezullimin e procedurave.
Gjyqtarja Vargas vlerësoi se ndalimi i vizave vetëm mbi bazën e kombësisë nuk përputhej me kuadrin ligjor amerikan të emigracionit dhe e konsideroi politikën të paligjshme.
















