Nga Saimir Kola
Në vitin 2015, unë sapo e kisha lënë punën në media dhe kisha përfunduar në një lexues dhe shikues të rregullt të mediave të vendit dhe të huaja. Shkak ishte se puna e fundit që kisha bërë ishte pikërisht kjo, në televizionin ABC News. Një prej dhomave të mia atëherë përfundoi si një bodrum i mbushur me dokumente të lloj-llojshme. Ishin 11 vjet punë në media, një arkivë goxha e pasur. Dhe tani që plasi debati pas vendimit të “Speciales”, sot është dita e dytë që po rrëmoj në atë që kisha mbajtur të arkivuar nga ajo kohë dhe po mundohem t’i përmbledh këtu.
Në vitin 2015, Kosova, një shtet i sapoformuar, u përball me një problematikë që kishte dy alternativa. Ajo ose do të krijonte vetë një mekanizëm të sajin gjyqësor që do të trajtonte hetimet e ngritura nga ndërkombëtarët për atë çfarë kishte ndodhur gjatë luftës, ose ky mekanizëm do të krijohej nga të tjerët, duke nënkuptuar me gjasë humbjen e kontrollit të Kosovës. Pra, në vitin 2015, Kuvendi i Kosovës nuk po votonte nëse dikush ishte fajtor apo i pafajshëm. Por, ndërsa e kërkon më thellë këtë histori, gjithçka e ka zanafillën në janarin e vitit 2011, kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin e Dick Marty-t, një raport i mbushur me pretendime për krime të rënda të lidhura me disa pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë pretendime për trafikim organesh, e njohur ndryshe si “Shtëpia e Verdhë”.
Por ajo që të habit në këtë histori, dhe që në fakt duket hapur si një lobim i fuqishëm serbo-rus, është fakti se Bashkimi Evropian nuk e la me kaq këtë histori, pasi në shtator të atij viti krijoi një trupë, “Special Investigative Task Force”, shkurtimisht SITF, me qëllim që të bënte një hetim të pavarur mbi pretendimet. Tre vjet më vonë, kjo trupë hetuesish deklaroi se kishte mbledhur prova të mjaftueshme për të mundësuar ngritjen e aktakuzave. Nga pretendimet e Dick Marty-t të vitit 2011, që ishte një raport politik, në vitin 2014 kaluam në një raport hetimor dhe potencialisht penal. Kush do ta gjykonte? Bashkimi Evropian nuk kishte një mekanizëm për ta bërë këtë, të paktën jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Këtu ndodh edhe “Big Bang”-u i madh i kësaj historie. Gjashtë muaj para raportit, pra në prill të vitit 2014, ka një letërkëmbim mes Presidentes së Kosovës dhe Catherine Ashton, atëherë Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian, për krijimin e një mekanizmi gjyqësor special për këto çështje. Më pas ishte Kuvendi i Kosovës që e ratifikoi këtë marrëveshje po të njëjtin vit, përmes Ligjit 04/L-274. Vetë dokumentet e Gjykatës Speciale e përshkruajnë këtë si një marrëveshje ndërkombëtare që Kosova e kishte ratifikuar.
Këtë parantezë e bëj për të kuptuar se ajo që ndodhi në vitin 2015 nuk erdhi nga zero.
Në vitin 2015, gjërat bëhen shumë interesante për këtë çështje. Parlamenti u gjend përballë pamundësisë ligjore për ta ngritur këtë mekanizëm, Dhomat e Specializuara, Gjykatën Speciale. Kushtetuta nuk e lejonte ngritjen e kësaj gjykate përmes një ligji të zakonshëm. Çfarë duhej bërë? As më pak e as më shumë: duhej ndryshuar Kushtetuta, duke i shtuar asaj një amendament, pikërisht atë që sot njihet si Amendamenti 24. Dhe… në këtë amendament u krijua neni 162 i Kushtetutës. Para se të ndodhte kjo, ishte Gjykata Kushtetuese e Kosovës ajo që e shqyrtoi paraprakisht amendamentin dhe, në prill të vitit 2015, konstatoi se ai nuk cenonte të drejtat dhe liritë e garantuara nga Kushtetuta. Ndryshimet kushtetuese u miratuan në parlament më 3 gusht 2015, si më poshtë:
1. Amendamenti kushtetues nr. 24;
2. Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar;
3. Ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave potencialisht të akuzuar.
Gjykata Speciale, pra, u krijua nëpërmjet një vendimi të institucioneve të Kosovës, mbi bazën e angazhimeve që Kosova kishte marrë më parë.
Por, para këtij votimi në parlament, pikërisht më 26 qershor 2015, votimi dështoi sepse nuk u arritën 80 vota, pra shumica e cilësuar. Votat pro ishin vetëm 75.
Unë do ta cilësoja korrikun e vitit 2015 si muajin më të rëndë të shtetit të Kosovës, madje si një atentat ndaj këtij shteti. Në muajin korrik u bënë të gjitha dallaveret për të plotësuar 80 votat. Nuk duhet të harrojmë diçka që është edhe më e rëndë: pjesë e ndryshimeve kushtetuese u bë edhe pakica serbe, duke e bërë tani krejtësisht të tyren këtë gjykatë. Ne tashmë e shikuam këtë, por le të kthehemi tek viti 2015.
Në korrik filloi sulmi diplomatik ndaj politikës së Kosovës, me retorikë të pamëshirshme se, nëse nuk e ratifikonin, nuk do të kishin as mbështetjen e SHBA-së, as të Britanisë dhe as të BE-së. Gjasat janë që këto kanë qenë lojë ambasadorësh të lobuar nga Serbia dhe Rusia. Nën këtë presion, por pa harruar se pjesë e kësaj loje shantazhesh ndaj politikës së Kosovës u bë edhe Shqipëria, përmes kryeministrit Edi Rama, mendoj se ish-ministri Ditmir Bushati ka një farë detyrimi të na tregojë se çfarë u bisedua konkretisht në atë takim emergjent dhe kush ishin lobuesit.
Dhe arrijmë në datën 3 gusht, kur me 82 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi këto ndryshime kushtetuese dhe ngritjen e gjykatës.
Çfarë u miratua konkretisht?
Ligji parashikonte që Kosova të krijonte një mekanizëm sui generis:
• me bazë në ligjin e Kosovës;
• pjesë të sistemit juridik të Kosovës;
• me gjyqtarë ndërkombëtarë;
• me prokurorë ndërkombëtarë;
• me seli në Hagë;
• me procedura të posaçme.
Se cilat ishin procedurat e posaçme, deputetët nuk i morën vesh dhe votuan qorrazi. Gjykata Speciale nuk u miratua me konsensus politik. Opozita nuk shkoi fare në seancë. Madje ajo iu lut partive të tjera të mos e votonin, sepse do t’ia shihnin sherrin më vonë. Kështu ndodhi. Sot, pasi shikuam se kjo gjykatë i dënoi krerët e UÇK-së më rëndë sesa Gjykata e Hagës dënoi agresorët serbë, ne ngatërrohemi me pyetjen e natyrshme: Po sikur të mos e miratonim, çfarë do të ndodhte? E sigurt ishte se kjo çështje nuk do të mbyllej me kaq.
Faktet tregojnë se në vitin 2015, përfaqësuesit diplomatikë perëndimorë në Kosovë paralajmëruan hapur se, nëse Kosova nuk e krijonte vetë gjykatën, çështja mund të kalonte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ambasadori britanik i asaj kohe, Ian Cliff, tha se, nëse Kuvendi nuk e miratonte, çështja do t’i referohej Këshillit të Sigurimit në kuadër të Rezolutës 1244. Edhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson tha se, nëse Kosova nuk e krijonte mekanizmin, kompetencat do të kalonin te OKB-ja. Kjo nuk do të thoshte se ekzistonte një ligj automatik që thoshte: “Nëse Kuvendi voton jo, nesër krijohet gjykata e OKB-së.” Ishte një paralajmërim politik dhe diplomatik shumë serioz për alternativën që ndërkombëtarët po e shihnin.
Madje, analiza e Institutit të Kosovës për Drejtësi e dokumenton pikërisht këtë debat të vitit 2015: nëse Kuvendi nuk e krijonte mekanizmin, ndërkombëtarët paralajmëronin kalimin e çështjes në kompetencën e OKB-së. Këtu është edhe “mashtrimi” i madh. Çfarë mund të ndodhte në vitin 2015 nëse dërgohej në OKB kjo çështje?
E para gjë e sigurt, një herë, është se kjo çështje nuk do të mund të bëhej dot pjesë e diskutimeve të vendimmarrjeve të OKB-së atë vit, dhe pikërisht për këtë ambasadorët ushtruan presion të paprecedentë ndaj politikanëve kosovarë që këtë punë të nisur me lobim ta kryenin pa e bërë të madhe.
Pse nuk do të ndodhte, sipas mendimit tim?
Si fillim, kjo ishte një çështje thellësisht evropiane dhe lobuesit nuk dëshironin ta përfshinin në gjeopolitikë, pasi aty kishte një problem shumë të madh, dhe po e shpjegoj se pse. Në vitin 2015, marrëdhëniet SHBA–Rusi ishin shumë të tensionuara, por, pavarësisht kësaj, palët gjenin bashkëpunim për disa çështje. Përplasjet kryesore ishin për Ukrainën. Një vit më parë, pra në vitin 2014, Rusia kishte aneksuar Krimenë, ndërkohë që tashmë tanket ishin në Donbas. Nga ana e saj, SHBA-ja mbështeste sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe, së bashku me BE-në, kërkonte zbatimin e marrëveshjeve të Minskut. Ndërkohë, vetë Uashingtoni vendosi dhe vazhdoi sanksione ekonomike ndaj Rusisë. Nga ana tjetër, Rusia mbështeste separatistët pro-rusë në Donbas, gjë që SHBA-ja e konsideronte shkelje të sovranitetit ukrainas.
Pas një dimri të vështirë mes palëve për çështjen e Ukrainës, marrëdhëniet mes tyre duket se u ngrohën aty nga muaji maj 2015. Në këtë muaj, John Kerry shkoi në Soçi dhe u ul në tavolinë me Putinin dhe Lavrovin për të gjetur një mundësi bashkëpunimi. Se sa dakord ranë palët, do të merrej vesh më 30 shtator të atij viti. Këtu ndodhi edhe kthesa e madhe. Më 30 shtator 2015, Rusia filloi operacionet ajrore në Siri, në mbështetje të Bashar al-Assadit. Nga ana e saj, SHBA-ja mbështeste një koalicion kundër ISIS-it dhe kërkonte një tranzicion politik në Siri, duke e konsideruar largimin e Assadit pjesë të zgjidhjes.
Situata u bë shumë e rrezikshme. Avionët ushtarakë rusë dhe amerikanë fluturonin mbi të njëjtën fushëbetejë, dhe jo si aleatë. Pak ditë para se të ndodhte kjo, Putini ishte takuar me Obamën në Nju Jork. Gjithçka që ndodhi pas kësaj ishte një kthesë e madhe.
Një vit më pas, në Amerikë kishte zgjedhje, vit elektoral. Dhe sigurisht që në bisedime ishte përmendur edhe Kosova, por palët ishin të kundërta. SHBA-ja e njihte Kosovën si shtet sovran, Rusia jo, madje thoshte se Rezoluta 1244 ishte baza kryesore juridike. Dhe kaq.
Çështja e Kosovës nuk ishte shqetësim për asnjërën palë. Ato mjaftoheshin që nuk kishte luftë dhe se dy vendet kishin bërë disa marrëveshje me njëra-tjetrën. Në këto kushte, nëse Kosova nuk do ta kalonte këtë ndryshim kushtetues, çështja do të shkonte në Këshillin e Sigurimit dhe, nëse do të arrinte të dilte prej aty, kjo çështje do të shkonte direkt në OKB, ku vendet kanë të drejtë vetoje.
Në OKB nuk luhet në nivel ambasadorësh që vijnë tek ne, por në nivelin më të lartë diplomatik. Ndaj mendoj se SHBA-ja as që do të kishte lëshuar pe dhe besoj se do të kalohej me një veto pezulluese.
Unë kështu mendoj se do të ndodhte.
Dhe jam gjithmonë i prirur të mendoj se vendimet e rëndësishme nuk duhen marrë asnjëherë nën presion, në çfarëdo situate që të jesh dhe cilido qoftë ai që e ushtron presionin. Kurrë nuk do të ishte i barabartë ai presion me atë me të cilin këta luftëtarë janë përballur në fushëbetejë, e aq më keq akoma me atë çfarë ka përjetuar ai popull.
Lexo edhe:
Kush po e drejton në të vërtetë protestën!?















