49-vjeçari Ylli Zalla, i arrestuar dy ditë më parë në fshatin Zallë të Fushë-Krujës, është paraqitur këtë të mërkurë në Gjykatën Penale të Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Zalla akuzohet për mbajtje të armëve dhe municioneve pa leje. Në seancë ai mbrohet nga avokati Dritan Gina, ndërsa gjyqtarja Lorena Çabej ka nisur shqyrtimin e çështjes dhe dëgjimin e pretendimeve të palëve.

Reklame

Arrestimi i 49-vjeçarit erdhi pas një periudhe prej rreth 11 muajsh, gjatë së cilës ai ishte në kërkim dhe, sipas raportimeve, operacionet për kapjen e tij kishin dështuar disa herë.

Një ditë para arrestimit, në banesën e tij ishte shënuar një shpërthim me lëndë eksplozive. Pas ngjarjes, Zalla kishte dalë live në rrjetet sociale, ku kishte denoncuar shpërthimin dhe kishte ngritur akuza ndaj Policisë.

Arrestimi i tij u krye të hënën në zonën e Fushë-Krujës, ndërsa operacioni u shoqërua me kontrolle dhe masa të shtuara sigurie nga strukturat e Policisë.

Ndërkohë, pavarësisht raportimeve publike që e kanë lidhur Zallën me vrasjen e Gilmando Danit dhe Muçi Shalianit në Rinas, në njoftimin zyrtar për arrestimin, Policia e Shtetit e ka referuar çështjen ndaj tij për armëmbajtje pa leje.

Gjykata pritet të vendosë masën e sigurisë ndaj 49-vjeçarit pas dëgjimit të palëve.

Lexo edhe:

Arrestohet Ylli Zalla në Krujë, ishte i armatosur me kallashnikov – u mbajt nën vëzhgim me dron

Vendi është totalisht në duart e krimit! Berisha: Lamallari mashtron qytetarët, Ylli Zalla u dorëzua vetë

Reklame