Kandidatura e deputetit Erion Braçe për Bashkinë e Tiranës ka nisur të prodhojë reagime të forta në skenën politike, duke marrë jo vetëm mbështetje nga brenda së majtës, por edhe nga figura të kampit opozitar.
Së fundmi, një deklaratë surprizë ka ardhur nga kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, i njohur si aleat i vjetër i Sali Berishës, i cili ka shprehur publikisht simpati dhe mbështetje për Braçen.
Në një intervistë televizive, Duka e cilësoi Braçen si një kandidat të ndershëm dhe me eksperiencë të spikatur, duke theksuar se ai do të ishte një zgjedhje e mirë për drejtimin e kryeqytetit.
“Erion Braçe, kam simpati personale… është i duhuri për Bashkinë e Tiranës. Si njeri është i ndershëm, do i bënte mirë Tiranës, ka eksperiencë të jashtëzakonshme. Nëse del kandidat, unë do t’i jap votën time,” u shpreh Duka.
Ai shtoi gjithashtu se Braçe ka një kontribut të gjatë në Partinë Socialiste dhe, sipas tij, zotëron nuhatje politike dhe eksperiencë të konsiderueshme në menaxhimin e çështjeve publike.
Deklarata e Dukës vjen në një moment kur emrat për garën e Tiranës po diskutohen gjerësisht, ndërsa mbështetja e një figure të djathtë për një kandidat të majtë pritet të nxisë debate të reja në politikën shqiptare.















