Një atentat me armë zjarri tronditi mbrëmjen e së shtunës zonën e Prekalit në Shkodër, ku mbeti i vrarë Aleksandër Koçeku. Viktima u qëllua për vdekje teksa ndodhej brenda automjetit të tij në aksin rrugor Prekal–Kir.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00, ndërsa forca të shumta policie mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisën kontrollet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.
Deri tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e autorit dhe as motivin zyrtar të ekzekutimit. Megjithatë, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është ajo e hakmarrjes.
Sipas hetimeve paraprake, ekzekutimi i Aleksandër Koçekut dyshohet se mund të ketë lidhje me një krim të ndodhur më 26 shkurt të vitit të kaluar në fshatin Guci e Re.
Në atë ngjarje mbeti i vrarë 20-vjeçari Pavlin Preka. Për këtë vrasje u arrestuan Vasel Koçeku, familjar i Aleksandër Koçekut, dhe Klaudio Lisaj, të cilët vijojnë të ndodhen në paraburgim.
Edhe pse të dy kanë mohuar akuzat, sipas hetimeve të Prokurorisë, përgjimet telefonike dhe provat e administruara kanë ngritur dyshime se Klaudio Lisaj e nxori të riun nga banesa, ndërsa Vasel Koçeku dyshohet se e ekzekutoi me armë zjarri pranë shtëpisë së tij.
Sipas dosjes hetimore, konflikti kishte nisur disa vite më parë dhe lidhej me dëshirën e Pavlin Prekës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut.
Familja kishte refuzuar kërkesën, pasi vajza ishte ende e mitur dhe vijonte shkollën. Hetimet kanë evidentuar se, pavarësisht refuzimit, Pavlin Preka kishte vazhduar të shfaqte interes për të dhe u kishte thënë personave të afërt se do ta rrëmbente për ta marrë për bashkëshorte.
Ky konflikt konsiderohet si motivi kryesor që çoi në vrasjen e 20-vjeçarit vitin e kaluar.
Pas atentatit të së shtunës, grupi hetimor po verifikon nëse vrasja e Aleksandër Koçekut është një akt hakmarrjeje i lidhur me ngjarjen e mëparshme apo nëse viktima kishte konflikte të tjera.
Policia vijon kontrollet në zonën e Shkodrës dhe po mbledh prova, pamje filmike dhe dëshmi që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të atentatit dhe identifikimin e autorëve.
Hetimet janë në zhvillim dhe autoritetet nuk kanë dalë ende me një version përfundimtar mbi motivin e krimit.
“Do rrëmbente vajzën qe dashuronte”/ Si përfundoi në vrasje lidhja intime mes Pavlin Prekës
Vrasja në Shkodër, 1 mijë euro për eksplozivin, zbardhen rolet e të arrestuarve















