Një efektiv i Policisë së Shtetit është pezulluar nga detyra pasi në rrjetet sociale u publikua një video ku shfaqet duke goditur me grusht një shtetas të shoqëruar gjatë tubimit të zhvilluar sot në Rrugën e Durrësit, në Tiranë.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar menjëherë pezullimin nga detyra të efektivit, me inicialet J. H., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Reklame

Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj punonjësit të policisë.

Hetimi do të fokusohet te dyshimet për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës, si edhe për veprime që mund të cenojnë figurën e punonjësit të Policisë dhe imazhin e institucionit.

Policia e Shtetit deklaron se nuk do të tolerojë shkeljet e ligjit apo të standardeve profesionale nga efektivët e saj.

Policia e Shtetit nuk toleron asnjë veprim që kryhet në kundërshtim me ligjin dhe me standardet profesionale të punës”, thuhet në reagimin zyrtar.

Institucioni shton se do të vijojë të reagojë ndaj çdo shkeljeje të konstatuar nga punonjësit e Policisë.

Lexo edhe:

Përplasje mes policisë dhe protestuesve pranë shkollës “Qemal Stafa”, dhjetëra të shoqëruar

Tiranë/ Bllokuan akset kryesore gjatë protestës, procedohen penalisht 20 pjesëmarrës

Reklame