Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka njoftuar se Bordi i Transparencës nuk do të jetë më në funksion, duke argumentuar se situata e veçantë në tregun e hidrokarbureve ka përfunduar dhe se çmimet në bursat ndërkombëtare kanë shënuar rënie.

Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ibrahimaj deklaroi se zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare, përfshirë uljen e tensioneve mes SHBA-ve dhe Iranit dhe zbutjen e shqetësimeve për lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rënien e çmimit të naftës në tregjet globale.

Reklame

“Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm lidhet me përfundimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarburateve. Sot do të ndërpresim Bordin e Transparencës që prej disa muajsh është në funksion. Çmimi prej dy javësh ka ardhur duke u reduktuar, në bursë ka rënë”, u shpreh ministrja.

Vendimi i fundit i Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve u mor të mërkurën, ku u përcaktua që nafta të tregtohej me 176 lekë për litër, ndërsa benzina me 166 lekë për litër.

Bordi i Transparencës ishte rikthyer në funksion në fund të muajit mars, si masë për monitorimin dhe kontrollin e çmimeve të hidrokarbureve në tregun vendas, në kushtet e luhatjeve të forta në tregjet ndërkombëtare. Me vendimin e ri të qeverisë, çmimet e karburanteve do të vijojnë të përcaktohen nga mekanizmat e tregut, pa ndërhyrjen e këtij organi.

Reklame