Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-presidentin e Republikës, Ilir Meta, duke refuzuar kërkesën e tij për zëvendësimin e masës me një më të butë.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Saida Dollani, e cila pasi shqyrtoi pretendimet e paraqitura në proces, vendosi të mos pranojë ankimin e Metës ndaj masës së sigurisë që është në fuqi prej muajsh.
Ndërkohë, ish-presidenti ka depozituar edhe një tjetër kërkesë në Apelin e GJKKO-së për ndryshimin e masës së sigurisë. Për këtë kërkesë u zhvillua seanca këtë të hënë në shkallën e dytë të gjyqësorit, por gjyqtarja u tërhoq për të shpallur vendimin në një datë tjetër.
Meta mbahet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024 dhe po hetohet nga SPAK për disa vepra penale të rënda.
Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet për korrupsion pasiv në tre episode të ndryshme, pastrim parash, si dhe fshehje e mosdeklarim pasurie.
Me vendimin e fundit të Apelit të Posaçëm, ish-kreu i shtetit do të vijojë të qëndrojë në qeli, ndërsa paralelisht pritet edhe vendimmarrja për kërkesën e re të depozituar nga mbrojtja e tij.
Hetimet ndaj Metës vijojnë nën drejtimin e SPAK, ndërsa çështja mbetet një nga dosjet më të rëndësishme që përfshin një ish-zyrtar të lartë të shtetit shqiptar.















